KOK diskuton me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për fuqizimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 14 Maj 2021 | 17:29 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh), kanë diskutuar për fuqizimin e bashkëpunimit, raporton Ekonomia Online.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, bashkë me nën-presidentët e komitetit Gazmend Maxhuni dhe Mimoza Shkodra-Bislimi kanë pritur drejtuesit e përfaqësuesve Olimpik nga Shqipëria.

Krasniqi gjatë këtij takimi tha se është nder të mirëpresësh shtetin e Shqipërisë dhe përfaqësuesit e saj që përkon edhe me marrjen e detyrës së re të presidentit, Fidel Ylli.

“Është nder t’i kemi këtu dhe shfrytëzoj rastin që në mënyrë fizike ta uroj për postin e ri, duke ju dëshiruar suksese dhe më të mirat për postin dhe shumë fitore tutje”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, presidenti i KOKSh, Fidel Ylli, tha që është kënaqësi pjesëmarrja sot këtu për të nënshkruar marrëveshje memorandumi bashkë si dy shtete.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sepse e kam dëshiruar për vite, sot jam president por edhe më parë e kam bërë të pamundurën ku kemi lobuar që Kosova të kishte mundësinë të parakalonte me flamurin e saj. Jam i gëzuar që jam këtu, dhe sot erdhëm për të firmosur një memorandum bashkëpunimi dhe të realizojmë tutje projekte të mira bashkë. Kemi dashur që bashkë ta bëjmë këtë takim si dy vëllezër dhe ta fusim sportin në rrugën e dy shteteve bashkërisht. Kosova me sport ka hyrë ne majën e sportit”, tha Ylli.

Tutje presidenti Krasniqi tha se ndikimi i Shqipërisë në fushën e sportit dhe ndihma në këtë drejtim nga ta, ka qenë shumë i madh.

“Keni qenë ndihmë shumë e madhe për sportin tonë në Kosovë dhe është për t’u vlerësuar por ne do vazhdojmë bashkërisht dhe synojmë që të jemi një shpirt sa i përket mendimit dhe veprimit që të jemi bashkë në arenën ndërkombëtare, dhe arsyeja për të fituar është shumë më i madh kur jemi bashkë”, theksoi tutje Krasniqi.

Të dy presidentët u pajtuan që të bëhen bashkë, në mënyrë që dy Komitetet Olimpike të kenë fuqinë e tyre para Asamblesë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Evropës.

Të dyja palët diskutuan edhe tema të ndryshme të bashkëpunimit, të cilat do të hidhen edhe në një memorandum bashkëpunimi që pritet të nënshkruhet ndërmjet dy Komiteteve Olimpike.

Pas intervistave dhe takimit të dy përfaqësuesve të dy shteteve, u dhuruan edhe dhurata nga dy shtetet si shenjë falënderimi për bashkëpunimin.

No description available.
No description available.

Të ngjashme