KOK fton deputetët që “të bëhen bashkë për të mirën e sportit”

Prishtinë | 26 Qer 2019 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Lajmi për hyrjen në Rend të Ditës në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, Ligji për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, përkatësisht Amendamenti, i cili do t’i jepte rrugë të menjëhershme Ligjit për Sponsorizimin në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë, padyshim se ka gëzuar tej mase edhe institucionin më të lart në vend, Komitetin Olimpik të Kosovës.

KOK, si njëri ndër iniciatorët dhe lobuesit më të mëdhenj të këtij ligji prej disa vitesh, beson fuqishëm se pas dy mos aprovimeve të këtij Ligji, nesër të gjithë deputetët unanimisht do të votojnë këtë Amendament, i cili i jep krahë zhvillimit të sportit në vend.

Fitimi i medaljeve të fundit të xhudistëve tanë në Lojërat Evropiane Minsk 2019, rezultatet e jashtëzakonshme në futboll, basketboll e hendboll, si dhe karate, boks, etj, janë sinjali i fundit që edhe deputetët edhe shteti, duhet të jenë prapa ambasadorëve më të mirë të vendit tonë, të cilët jo një herë, por tri herë e ngritën lartë këto ditë flamurin e Kosovës në shtetin që nuk e njeh vendin tonë, Bjellorusinë.

KOK fton edhe një herë deputetët që njëzëri ta mbështesin miratimin e këtij Ligji dhe këtij Amendamenti, pasi kjo është mënyra e vetme që biznesi t’i japë krahë sportit, t’i mbështes sportistët e Kosovës, si dhe fëmijët e tyre, duke i larguar nga rrugët devijante.

Të ngjashme