KOK ndau shpërblimet për LO Tokio 2020 dhe nënshkroi Bursat Olimpike Paris 2024 në 7-vjetorin e anëtarësimit të KOK në IOC

photo by: @Shpend Ahmeti
Prishtinë | 09 Dhj 2021 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), KOK organizoi ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Tokio 2020 dhe ndarjen e pinëve të dërguar nga IOC, si dhe nënshkrimin e Bursave Olimpike për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Të pranishëm në ceremoninë e organizuar në hotelin Sëiss Diamond, krahas drejtuesve të KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi, sekretarit të përgjithshsëm Besim Aliti dhe anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, ishin edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, u.d. i drejtorit në Departamentin e Sportit në MKRS, Fikret Shatri, trajneri tri herë kampion olimpikë, Driton Kuka, kampionia olimpike, Nora Gjakova, sponsorë të KOK-ut, etj.

KOK shpërbleu me nga 10 mijë euro kampionet olimpike, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, me 5 mijë euro trajnerin Driton Kuka dhe me nga 500 euro të gjithë sportistët pjesëmarrës.

Presidenti Krasniqi, duke uruar për 7-vjetorin, theksoi se anëtarësimi në IOC u hapi rrugën sportistëve tanë që sot vendi ynë të ketë tri medalje të arta olimpike, derisa u ndalë tek suksesi i fundit, ai i Lojërave Olimpike Tokio 2020 dhe rruga drejt Paris 2024.

“Sot, po e mbyllim ciklin e LO Tokio 2020 me dhënien e pinave të Komitetit Olimpik Ndërkombetar dhe ndarjen e shpërblimeve prej 500 deri në 10 mijë euro, shuma këto që KOK i ka siguruar nga sponsorët. Premiot do t’u ndahen dy kampioneve olimpike, bashkë me trajnerin e tyre, Driton Kuka, si dhe nëntë sportistëve tjerë, që pavarësisht se nuk ishin në podium, dhanë maksimumin e tyre.  Me mbylljen e Tokio 2020, sot po e hapim rrugën drejt Paris 2024, ku do të nënshkruajmë bursa me 22 sportistë të përzgjedhur nga Komisioni i Sportistëve, listë kjo që mund të ndryshojë varësisht nga performanca e tyre, e cila do të monitorohet vazhdimisht nga ky Komision”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi, duke uruar që shumica e këtyre sportistëve të fitojnë normën olimpike.

7500 dollarë në muaj është shuma që ndanë Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për bursistët, ndërsa me vendim të Bordit Ekzekutiv, KOK-u ka shtuar edhe 1550 euro në muaj, që në total për 2 vjet e gjysmë, do të ndahen 46 500 Euro, pa i llogaritur këtu përfitimet tjera që do të kenë sportistët, me dërgimin në kampe jashtë vendit, në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për Lojërat e ardhshme Olimpike. 

Në fjalën e tij, ministri Çeku, foli për rëndësinë që kishte pranimi i KOK-ut dhe federatave sportive në arenën ndërkombëtare, derisa u ndalë tek suksesi në Tokio 2020 dhe mbështetja e KOK-ut drejt Paris 2024.

“Është kënaqësi e madhe kur në listën e bursave shoh sportistë që ishin edhe në Tokio. Drejt Parisit ju pret një rrugë e gjatë përpara. Ju uroj suksese në procesin përgatitor, jo vetëm juve, por gjithë sportistëve që kanë për qëllim të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Shpresoj shumë që në Paris të shkojmë me më shumë sportistë, më shumë norma olimpike dhe të kthehemi me më shumë medalje”, tha mes tjerash ministri Çeku.

Mjeshtri ndërkombëtar, Driton Kuka, përgëzoi KOK-un për përkrahjen që po u bënë sportistëve, me theks të veçantë u ndalë tek 22 Bursat Olimpike Paris 2024.

“Është kënaqësi që KOK po i drejton 22 sportistë drejt Parisit, dhe tani nuk kanë arsye për ankesa. Shpresoj që të paktën të kemi 10 të kualifikuar, kurse unë si trajner shpresoj të kthehemi me medalje, sepse të kalohet Tokio 2020 është shumë e vështirë”, theksoi Kuka.

KOK-u u falënderua edhe nga kampionia olimpike, Nora Gjakova, dhe mundësi Egzon Shala, të cilët folën në emër të sportistëve, me besimin se drejt kryeqytetit të Francës do të udhëtojnë me më shumë norma olimpike dhe të arrijnë sa më shumë suksese.

photo by: @Shpend Ahmeti


Të ngjashme