KOK promovoi librin “Debutimi i Artë”

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 17:48 | Nga

Promovimi i librit “Debutimi i Artë” që iu kushtua pjesëmarrjes së parë të Kosovës në Lojërat Olimpike, me protagonist suksesin e madh të Majlinda Kelmendit, ishte ngjarja kryesore e  ceremonisë së organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) me rastin e përvjetorit të parë të medaljes së artë olimpike të fituar nga Majlinda Kelmendi në “RIO 2016”.

Mysafirëve të shumtë ishin mbledhur në platenë e sheshit “Zahir Pajaziti” (pranë Hotel Grand) në Prishtinë, ku nuk mungonin, ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, pastaj Majlinda Kelmendi, trajneri Driton Kuka, dhe shumë fytyra të sportit dhe drejtues federatash.

Gjatë tërë kohës ata patën mundësinë të shohin një video me pamjet më emocionuese të suksesit të Majlindës në Rio, që shfaqeshin në dy ekrane, kurse në mes qëndronte një foto e Majlindës me përmasa gjigante, që simbolizonte momentin e marrjes së medaljes së parë për Kosovën.

Mysafirët me një fjalë rasti i përshëndeti kryetari i KOK-ut, z.Besim Hasani, derisa shprehu falënderimet më të mëdha për Majlindën dhe Dritonin, që i dhuruan Kosovës një medalje dhe kënaqësi të tillë.

“Besoj se Kosova do të arrij medalje edhe në të ardhmen, por e arta e Majlindës dhe Tonit është medalja e partë e artë olimpike dhe si e tillë do të mbetet përherë, për jetë të jetëve dhe të gjithë ne, bashkë me qytetarët dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës, gjithmonë do ta festojmë. Ua them me plot sinqeritet, kudo që prezantohem se jam nga Kosova, kudo shqiptohet emri i Majlindës dhe posa të përmendet emri i saj mendohet për Kosovën”, tha ndër të tjera i pari i KOK-ut, Besim Hasani.

Më pas, në skenë u ngjit ministrja Vlora Dumoshi, e cila përgëzoi të gjithë për përvjetorin e medaljes së artë olimpike, duke premtuar se si qeveri do të vazhdojnë përkushtimin ndaj sportit.

“Debutimi i Artë” vjen me mbi 120 foto

Për promovimin e librit fotoreportazh “Debutimi i Artë”, në emër të komisionit punues foli sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, z.Shasivar Haxhijaj, i cili përshkroi librin i cili përmbanë mbi 120 foto të përmbledhura në 82 faqe.“Në këtë libër përshkruhet i gjithë rrugëtimi historik i ekipit olimpik të Kosovës me protagonistët dhe superprotagonisten, Majlinda Kelmendi dhe trajnerin e saj Driton Kuka, të cilët Kosovës i sollën medaljen e parë. Foto të ndryshme nga ceremonia e dorëzimit të flamurit në Prishtinë, në fshatin olimpik, parakalimi historik në ceremoninë hapëse, medalja, deklarata, reagimi i mediave të huaja në të cilat u bë kryelajm i ditës dhe shumçka tjetër”, u shpreh në pika të shkurtëra, Haxhijaj, derisa të pranishmit patën rastin ta shihnin librin edhe në ekran.Ky është libri i parë dhe i vetëm i promovuar për ekipin olimpik të Kosovës që mori pjesë në “RIO 2016”.

Kelmendi: 7 gushti, ditë historike

Radha për t’u ngjitur në skenë i erdhi heroinës tonë, Majlinda Kelmendi, e cila 7 gushtin e quajti ditë historike.“7 gushti do të jetë ditë historike për Kosovën, pavarësisht sa kohë do të kalojë. Më gëzon shumë fakti që protagoniste e kësaj date jam unë, sepse nuk do të më vinte mirë po të ishte dikush tjetër në vend timin për ta fituar medaljen e parë. Kënaqësia edhe më e madhe është që kjo medalje është e artë”, tha Majlinda, duke mos harruar të falënderoj Driton Kukën, kretarin e FXHK-s, Agron Kukën, shokët e klubit Ippon etj.E pyetur se cila datë do të jetë më e veçantë për të: 7 gushti apo 9 maji i ditëlindjes së saj, ajo zgjodhi të parën për të cilën tha se do të jetë datë më e veqantë, pasi ditëlindjes nuk i kushton aq shumë rëndësi.

Kuka: Kelmendi si Messi

Trajneri Driton Kuka, krahasoi Majlindën me Lionel Messin, të cilin e kishte marrë shembull në vitin 2012. “Në intervistën pas Londrës (LO 2012) kam thënë se Majlinda është si Messi. Edhe ai e ka humb një penallti atëkohë dhe për këtë kam thënë se është si Messi, që ka bërë një gabim. Kjo u vërtetua më pas, ku gjatë periudhës 2012-2016 i ka fituar gjithë titujt e mundshëm. Faleminderit prej saj që më ka vlerësuar që jam krahu i djathtë për të”, tha ndër të tjera, Kuka.

Organizatorët kishin përgatitur një befasi për të, duke ia sjell këmishën të cilën e vesh sa herë që Majlinda përballet në finalet e mëdha, për të cilën tha se e ka bestytni dhe e cila i ka sjell shumë fat. “Ndoshta një ditë do ta vendosi në muze ose tek Komiteti Olimpik”.

Kuka dhe Kelmendi pranuan edhe dhuratat si pulla postare, fotoja gjigante e punuar edhe në format më të vogël, të cilat iu dorëzuan nga nënkryetari i parë i KOK-ut, Memli Krasniqi, Shqipe Zogiani (anëtare e Bordit) dhe Shasivar Haxhijaj.

Mysafirët herë pas herë u përkujdesen edhe me vallen moderne të grupit Art Dizajn, të udhëhequr nga Jeton Vorfi, të cilët krejt në fund befasuan Majlindën dhe Dritonin, duke i sfiduar ata edhe në valle, e cila u përcoll me duartrokitje dhe ovacione të shumta.

Pamje nga ceremonia e përvjetorit të parë të medaljes së artë olimpike

Libri "Debutimi i Artë"

Pamje nga ceremonia e përvjetorit të parë të medaljes së artë olimpike

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi duke vallëzuar

Të ngjashme