KOK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Turizmit me moton “Roli i Sportit në promovimin e Turizmit”

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Me moton “Roli i Sportit në promovimin e Turizmit”, Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Turizmit.

27 shtatori është Dita Botërore e Turizmit, që ka për qëllim ndërgjegjësimin në mesin e komunitetit ndërkombëtar për rëndësinë e turizmit dhe vlerat e tij sociale, kulturore, politike dhe ekonomike.

Me këtë rast, drejtuesit e KOK-ut, Presidenti Besim Hasani dhe Sekretari i Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, tubuan në një tryezë, profesorë, biznesmenë dhe kryetarë të Federatave Sportive, ndërsa i pranishëm ishte edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, foli për idenë e kësaj tryeze, qëllimi i së cilës është promovimi sa më i madh i turizmit tonë përmes sportit. Ideja u mirëprit shumë mirë nga të pranishmit, të cilët theksuan nevojën e madhe që duhet të ketë promovimi i turizmit përmes sportit.

Të pranishmit duke folur për Ditën Ndërkombëtare të Turizmin falënderuan KOK-un për shënimin e kësaj dite, derisa theksuan se: “Sporti është ngushtë i lidhur me turizmin”.

Gjatë diskutimeve të temave të shumta, u konstatua se Kosova ka 46 për qind të territorit të saj me pyje, për të cilat u kërkua të ndalet prerja ilegale.

Të pranishmit theksuan se kapacitetet e Kosovës për turizëm janë shumë të mëdha falë konfiguracionit të saj, derisa u tha se sporti ka filluar shumë fuqishëm të kontribuojë në turizëm, qoftë përmes organizimit të garave sportive ndërkombëtare, si dhe promovimit të bukurive natyrore të Kosovës që po i bëjnë sportet dimërore dhe ato verore.

U konstatua që investimi në turizëm mund të jetë shtytësi më i madh i zhvillimit të ekonomisë së Kosovës.

Tutje, palët krahas investimeve të nevojshme që duhet të bëjë Qeveria e ardhshme, theksuan se investimi në turizëm ndikon tek rritja e të hyrave dhe krijimi i vendeve të reja të punës, gjersa për ta fuqizuar turizmin u konstatua se  Qeveria e ardhshme duhet ta përfshijë Departamentin e Turizmit si pjesë e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

Rekomandimet që dolën nga tryeza: “Përmes Sportit ta promovojmë Turizmin”

–        T’u jepet prioritet investimeve në Turizëm nga Qeveria e ardhshme, në mënyrë që të zhvillohet ekonomia dhe të krijohen vende të reja të punës

–        Kërkohet të ndalohet dhënia e licencave dhe lejeve për ndërtimin e Hidrocentraleve në Qendrat Turistike dhe Sportive, të cilat e pengojnë zhvillimin e turizmit dhe aktiviteteve sportive, qoftë sporteve verore dhe dimërore.

–        Të ndalohet prerja ilegale e pyjeve

–        Të ruhet trashëgimia kulturore

–        Kërkohet për federatat që të organizojnë sa më shumë ngjarje sportive ndërkombëtare në Kosovë, në mënyrë që t’i shërbejnë zhvillimit të turizmit.

–        Për ta fuqizuar turizmin u kërkua nga Qeveria e ardhshme që Departamenti i Turizmit të bëhet pjesë e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

–        U kërkua nga KOK-u të organizojë takime të rregullta, ku do vendoset për veprime konkrete për zhvillimin e turizmit përmes sportit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme