KOK-u do të ketë mbështetjen e plotë të MKRS-së

Prishtinë | 26 Mar 2021 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti në takim drejtuesit e ri të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi – kryetar dhe dy nënkryetarët, Eugen Saraçini dhe Gazmend Maxhuni.

Ministri Çeku i uroi drejtuesit e KOK-ut për marrjen e detyrës për një cikël të ri olimpik 4 vjeçar. Ministri tha se ministria do t’i qëndrojë prapa KOK-ut dhe organizatave sportive.

“Sportistët dhe organizatat sportive janë ato që do t’i paraprijnë proceseve kurse ne si ministri do të jemi në mbështetje dhe si lehtësues në avancimin e mëtejmë të sportit”, tha ndër të tjera ministri Çeku, duke ofruar gatishmërinë e plotë të përkrahjes së MKRS-së për KOK-un dhe organizatat sportive.

Ndërkaq, kryetari i ri i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e uroi ministrin për detyrën e re. Ai tha se deri më tani kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me ministrinë.

“Synimi i ynë është që të arrijmë suksese edhe më të mëdha në sport, sidomos në prezantimin e Kosovës jashtë vendit”, tha Krasniqi.

Ministri Çeku e kryetari Krasniqi vlerësuan se synimi i përbashkët për avancimin e sportit dhe arritjen e sukseseve të reja do të bëhet përmes një koordinimi të ngushtë dhe një bashkëpunimi e komunikimi dy palësh, organizatave sportive si prijatar të proceseve dhe MKRS-së si mbështetës e lehtësues.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme