KOK-u i bën thirrje FFK-së: Zbato rregulloret dhe ligjin

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar pas hallakamës së fundit të krijuar në futbollin kosovar.

Institucioni më i lartë i sportit në vend ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës që t’i zbarkojë aktet normative të saj bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i Sportit.

Së fundmi, shtëpia e futbollit kosovar mori kritika të ashpra pas vendimit që e mori për thirrje të Kuvendit të Rregullt Zgjedhor më 6 prill, shkruan “Gazeta Express”.

FFK-ja e bëri këtë paralajmërim vetëm një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa kritikët thanë se në bazë të rregulloreve duhet së paku dy muaj më herët të thirret Kuvendi Zgjedhor.

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka thirrur Kuvendin e Rregullt Zgjedhor për t’u mbajtur më 6 prill 2022. KOK si institucioni më i lartë sportiv në vend, kërkon që të zbatohen aktet normative të FFK-së bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i Sportit. KOK, e ka për obligim të monitorojë Kuvendet e Rregullta të Punës dhe ato Zgjedhore të Federatave Sportive, por jo edhe të interpretojë statutet e Federatave. KOK beson se Federata e Futbollit e Kosovës, si më masivja në vend, do ta kalojë këtë situatë në frymën e “fair-play-it” sportiv”, shkruan në qëndrimin e KOK-ut rreth situatës së fundit të krijuar në futbollin e këtushëm.

Ndërkohë, klubi i futbollit Vitia e ka paditur sot FFK-në në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e mbajtjes së zgjedhjeve më 6 prill, me paralajmërim prej vetëm një muaji më herët, të cilin e konsideron të kundërligjshëm.

Ky klub e ka kërkuar anulimin e datës së mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor. 

Të ngjashme