Kombëtarja e Hendbollit e fiton grantin prej 80 mijë eurove nga Komiteti Olimpik

Prishtinë | 06 Maj 2021 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Ekipi kombëtar i Kosovës në hendboll është përfitues i një granti ekipor prej rreth 80 mijë eurove, pas paraqitjeve, siç u vlerësuan, të suksesshme në kualifikime për Kampionatin Evropian 2022.

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur të mërkurën mbrëma, vendosi ta përzgjedhë kombëtaren e hendbollit për ta mbështetur një me grant që ndahet nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

“Granti do të ndahet për kombëtaren e hendbollit, konkurrenca e meshkujve, ndërsa vlera e përfitimit për katër vitet e ardhshme në total është 60 – 80 mijë dollarë”, njoftoi KOK-u në uebsajtin e vet.

Kombëtarja e Kosovës e mbylli me humbje fushatën e dështuar kualifikuese për Kampionatin Evropian të Hendbollit 2022, pasi u mund bindshëm 39:16 nga Suedia të dielën.

Kosova i pësoi katër humbje, e shënoi një fitore dhe barazoi një herë tjetër në gjashtë ndeshje, duke përfunduar në vendin e tretë me vetëm tri pik në Grupin 8.

Gjatë këtij cikli, Kosova do të mbahet në mend për fitoren e parë historike në udhëtim kundër Rumanisë, ndaj të cilës nxori edhe barazim në Prishtinë.

Këtë grant hendbolli e kishte fituar edhe në ciklin e kaluar olimpik, por me kombëtaren e femrave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme