Kompany: E njoh Laçin, nuk do ta kemi të lehtë

Prishtinë | 04 Gus 2021 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Për Vincent Kompany nuk ka qenë një periudhë e lumtur deri në këto momente në drejtimin e Anderlechtit ndaj përpara sfidës me Laçin, një fjalim i vogël përpara seancës stërvitore shërben si një shkundje por dhe bashkim për ekipin.

Ish-ylli i Manchester Cityt u mendua se nuk do të udhëtonte në Shqipëri për ndeshjen me Laçin për shkak të mungesës së licensës pro, por në stol do të jetë ai dhe jo Craig Bellamy mesa duket për një çështje që ka marrë vëmendje në shtypin belg por që trajneri i Anderlechtit i përgjigjet drejtpërdrejt duke e cilësuar thjesht si një ngërç proçedurial.

“E gjithë kjo është thjesht një burokraci nuk besoj se është një çështje por gjithsesi e rëndësishme është që unë jam pranë ekipit dhe dëshirojmë të bëjmë mirë. Nuk e kemi nisur mirë kampionatin por nuk e ndjej veten nën presion. Ne kemi ardhur në Shqipëri për të fituar dhe besoj që do t’ja dalim mbanë dhe pse llogaritë do të bëhen në përfundim, pas ndeshjes së kësaj të enjteje dhe asaj të javës së ardhshme”.

Në letër një kundërshtar si Laçi duket plotësisht i kalueshëm për Anderlechtin, por një ish- lojtar me përvojë si Kompany e di që ndeshjet luhen në fushë dhe nuk kërkon t’i lërë diçka rastësisë por ka mundur të shikojë dhe ndeshjet e fundit të kurbinasve, për të marrë më tepër informacion.

Detyrat e shtëpisë duket se Kompany i ka bërë që nga fakti që e njeh kundërshtarin sidomos për repartin e fortë të mbrojtjes.

“Ne nuk nënvlerësojmë askënd. Sigurisht i bëjmë llogaritë me veten tonë, por Laçit i kam parë 2-3 ndeshjet e fundit për të kuptuar mënyrën sesi luani. Kam parë që lojën e tyre e bazojnë në një mbrojtje shumë të fortë dhe besoj se nuk do ta kemi të thjeshtë, sepse kanë treguar në disa ndeshje që nuk është e thjeshtë t’i shënosh gol. Megjithatë ne do të marrim masat e nevojshme dhe urojmë që të bëjmë mire”.

Ekipi i Anderlecht u stërvit për 60 minuta në “Elbasan Arena” dhe i pranishëm mes yjeve të shumtë ishte dhe Zirkze, huazimi më i fundit i belgëve nga bavarezët e Bayernit, që pritet të jetë një plus më shumë për Anderlechtin përpara kësaj sfide.


Të ngjashme