Kompletimi i edicionit aktual duhet të jetë prioritet

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Unioni global i futbollistëve, FIFPRO, ka thënë se kompletimi i edicionit aktual duhet të jetë prioritet kur ndeshjet e futbollit të vazhdojnë, pas krizës së krijuar nga koronavirusi.

Sporti thuajse në gjithë botën është i pezulluar, ndërsa Evropiani dhe Copa America janë shtyrë për vitin tjetër. Ligat nacionale të futbollit aktualisht janë të pezulluara dhe nuk ka një datë të caktuar për vazhdimin e tyre, ka shkruar Reuters.

Sekretari i përgjithshëm i FIFPRO, Jonas Baer-Hoffman ka thënë se për momentin nuk është opsion që kampionati aktual të anulohet.

“Të gjithë në futboll do të humbasin nëse kjo ndodhë’, ka thënë ai në një konferencë për shtyp. “Nuk mendoj se është e përgjegjshme të merrej kjo në konsideratë në këtë moment. Nëse kemi ndonjë mundësi për të përfunduar edicionin, duhet të bëjmë këtë. Ndikimi për lojtarët dhe të tjerët do të jetë i madh nëse nuk e bëjmë këtë”, ka shtuar Baer-Hoffman.

Ka pasur diskutime që edicioni aktual të vazhdojë deri në gusht apo shtator, që do të ndikonte edhe në edicionin e ardhshëm. Disa klube kanë propozuar që edicioni aktual të anulohet.

“Është një klub që vullnetarisht ka paguar lojtarët deri në qershor. Por ka klube që kanë përdorur krizën për të ndërprerë kontratat me lojtarët, për të larguar ata, apo për të deklaruar bankrotin, si instrument për të mos paguar faturat dhe lojtarët”.

Përfaqësuesi i futbollistëve ka lavdëruar Juventusin dhe Barcelonën që kanë arritur marrëveshje për ulje të pagave. Por ka thënë se kjo nuk duhet të shërbejë si formë e presionit nga klubet e vogla.

“Kemi lojtarë që paguhen nga 300 deri në 1000 euro në muaj. Për ta të konsiderohet ulja e pagave është tregim tjetër. Ndërkohë futbolli po luhet në Bjellorusi, ndërsa ne jemi kontaktuar nga lojtarë që janë të brengosur për këtë fakt”, ka thënë Baer-Hoffman.

Të ngjashme