Koronavirusi lë pa paga shumë futbollistë në Kosovë, ndërhyn shoqata e tyre

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës (SHMDFK) e ka zhvilluar një takim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), në të cilin është diskutuar rreth anulimit të garave në shumicën e ligave të futbollit shkaku i pandemisë COVID-19, përpos Superligës, me ç’rast shumë futbollistë e trajnerë mbesin pa të ardhura mujore.

Shoqata u ka bërë thirrje futbollistëve të bisedojnë me klubet e tyre për gjetjen e një zgjidhje.

Në njoftimin e shoqatës thuhet:

Në vijim të vendimit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës të datës 27 Maj, lidhur me përfundimin e sezonit aktual 2019/20 në Ligën e Parë, Ligën e Dytë, Ligën e Tretë dhe Ligën e Femrave, Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës ka takuar kryetarin e FFK për të shprehur shqetësimet e saja lidhur me pasojat që sjell ky vendim. ShMDFK ka kërkuar sqarime nga FFK për këtë vendim, me fokus në gjetjen e zgjidhjes së problemeve financiare të trashëguara, si dhe ato të krijuara gjatë situatës pandemike, e që pashmangshmërisht do të reflektohen edhe më shumë si pasojë e vendimit në fjalë.

ShMDFK po bën përpjekje dhe angazhohet që të gjindet zgjidhja e këtij problemi, nisur nga fakti se shumica e futbollistëve të kontraktuar dhe të licensuar nga FFK, pjesë e ekipeve që garojnë në ligat e sipërpërmendura, të ardhurat e vetme ekonomike i kanë nga aktiviteti i tyre i ushtruar – futbollistik. Si rrjedhojë, ju bëjmë thirrje dhe këshillojmë të gjithë futbollistët e afektuar nga ky vendim, që bashkë me përfaqësuesit e klubeve të tyre të nisin negociatat për arritjen e marrëveshjes së dyanshme për zgjidhje, respektivisht shlyerjen e pagave të prapambetura nga ana e klubit në llogari të lojtarit.

Shoqata siguron anëtarët e saj se do të vazhdoj të mbaj takimet e rregullta dhe ato virtuale me kapitenët e të gjitha ligave të futbollit të Kosovës në kategorinë e femrave dhe të meshkujve, me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta për ndërgjegjësimin e lojtarëve në aspektet profesionale me interes për ta.

Të ngjashme