Kosova barazon në Torshavn, mban kreun e tabelës

Torshavn | 14 Tet 2018 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës ka regjistruar barazimin e dytë si mysafire në kuadër të Grupit 3 në Ligën D të Ligës së Kombeve, pasi sonte në Torshavn e ka mbyllur duelin me Ishujt Faroe me shifrat 1:1.

Ndonëse “Dardanët” udhëtuan me qëllimin që në këtë ndeshje ta shijonin fitoren e parë si mysafirë në ndeshjet zyrtare që pas pranimit në UEFA e FIFA, megjithatë nuk e arritën këtë objektiv, pasi hasën në një kundërshtar shumë të disiplinuar taktikisht dhe me mbrojtje të fortë, që nuk lejoi shumë hapësira. Sidoqoftë, kjo pikë e fituar është tejet e rëndësishme, duke pasur parasysh faktin se edhe ndeshja tjetër e grupit, Azerbajxhan-Maltë, u mbyll me shifrat e njëjta.

Kombëtarja jonë e vuajti mungesën e Benjamin Kolollit dhe Hekuran Kryeziut, derisa vështirësi paraqiti edhe fusha me bari sintetik, por edhe ndryshimi i klimës. Djemtë tanë e nisën në mënyrën më të mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 9-të, me një supergol të Milot Rashicës, për të cilin ky ishte goli i parë në fanellën e Kosovës. Edhe pas këtij goli djemtë tanë luajtën më mirë, duke e kontrolluar lojën, por pa arritur ta rrezikojnë seriozisht portën kundërshtare, e cila mbrohej me 6-7 futbollistë. Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të njëjtë, ku sërish ishte Kombëtarja jonë që e kërkonte golin, por në minutën e 50-të Rene Jensen shfrytëzoi një pakujdesi të mbrojtjes tonë dhe arriti të barazojë rezultatin në 1:1.

Pas këtij goli “Dardanët” u angazhuan maksimalisht që të depërtojnë në mbrojtjen kundërshtare, por pa sukses. Kësisoj, në fund djelmoshat tanë u detyruan të kënaqen me barazim, i cili fatmirësisht i mban ende në krye të grupit me 2 pikë më shumë se sa Azerbajxhani.

Deklaruan pas ndeshjes:
Bernard Challandes: Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave por jo me rezultatin. Ekipi luajti shumë mirë në pjesën e parë, por jo dhe aq mirë në të dytën. Pas pësimit të golit nuk ishte e lehtë sepse kundërshtarët treguan një mbrojtje shumë të mirë, agresive dhe  për më tepër ishim në fushë të tyre. Më duhet të uroj kundërshtarët për ndeshjen e zhvilluar. Mendoj se në pjesën e dytë u dukë ajo pjesë ku ekipi vuan, në 20 metrat e fundit të sulmit nuk jemi ashtu siç duhet. Ne realizojmë aksione të mira por efikasiteti nuk është në cilësinë e parë. Duhet të punojmë me vetëbesim, pasi tani skuadra po luan mirë, ka stilin e saj, e dërgojmë topin deri në sulm por pika e dobët me të cilën duhet të punojmë është pjesa e sulmit“.

Milot Rashica: Jam i lumtur që më në fund erdhi goli në fanellën e Kombëtares së Kosovës, por do të isha më i lumtur nëse do të kishim fituar. Këtë gol ia dedikoj familjes dhe tifozëve, por gjithashtu shkon edhe për ish-presidentin Fadil Vokrri. Pjesën e parë e filluam mirë, por jo të dytën. Kemi pasur disa raste, por edhe Ishujt kanë bërë paraqitje të mirë. Edhe fusha ka qenë në gjendje të keqe. Madje edhe pasimet më të thjeshta ishin të vështira.

Ishujt Faroe – Kosova  1:1 (0:1)
Stadiumi: “Torsvollur” Torshavn.
Shikues: 4.000
Gjyqtarë: M. Zelinka, J. Patak, Ondrej Pelikan e K. Hajek (Çeki)
Shënues: Joensen(50) për ish. Faroe e Rashica (9) për Kos.
K.V. Baldvinsson e Joensen të I. Faroe e Halimi e Nuhiu të Kos.

Ishujt Faroe:  Nielsen, Davodson, Gergersen, Nattestad,Hansson, Hendriksson(Mellemgard), Serensen, Edmundsson(Justimunsson), Fere, Jeonsen e Baldvinsson.

Kosova:  Ujkani, Dallku, Aliti, Voca(Halimi), Shala, Rashica(Muriqi), Rrahmani, V. Berisha, Vojvoda, Nuhiu e Zhegrova (Zeneli).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme