Kosova dhe Shqipëria formojnë ligë të përbashkët

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë zbuluar që gjatë kohës së fundit kanë mbajtur disa takime me negociata për krijimin e një gare unike të përbashkët, e cila tani është afër realizimit.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku në një intervistë të sotme për “Ora shtatë” në Klan Kosova, ka thënë se është punuar gjatë që të krijohet një ligë e përbashkët, Kosovë-Shqipëri.

Ajo ka thënë se për këtë çështje edhe janë takuar presidentët e të dyja Federatave dhe gjithçka është finalizuar, sipas Dushkut në vitin e parë të organizimit ishte paraparë që projekti të nisë sivjet në Prill në formë të Kupës, por për shkak të situatës aktuale me Pandeminë COVID-19, kjo është anuluar”

Pozitiv për këtë organizim për mediat shqiptare, ditë më parë ishte shfaqur edhe Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari i cili kishte thënë: ”Kemi shkëmbyer edhe korrospodencën me FIBA-në. Janë disa modele, Lituani, Letoni, disa vende që e kanë krijuar këtë llojë kampionati”.

“Ideja jonë është që me Kosovën të kemi një kampionat të përbashkët, një kampionat i madh me vajtje-ardhje. Janë miratuar në parim gjërat’, kishte thënë Ponari në një intervistë për ‘TVT’.

Sapo të kalojë rreziku nga pandemia Covid-19, bisedimet mes dy Federatave do të intensifikohen sërish dhe do të ketë edhe një takim mes drejtuesve të dy Federatave.

Në mes të muajve tetor-nëntor do të zhvillohet një kupë e përbashkët mbarëkombëtare, Kosovë-Shqipëri, shkruan Asisti Online, e më pastaj çdo vit të organizohet edhe liga mes dy shteteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme