Kosova dorëzon padi kundër Serbisë në Federatën Evropiane të Pingpongut

Prishtinë | 16 Kor 2022 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) sot bëri të ditur se pingpongistët kosovarë s’kanë mundur të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21,që po mbahet në Beograd të Serbisë, meqë ky shtet ia pamundësoi.

Për këtë ka folur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një konferencë për media, i cili paralajmëroi se Serbinë do ta ndjekin penalisht.

“Kemi përsëri sjellje destruktive nga shteti i Serbisë. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve tanë dhe shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit. Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante europiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare. Deri në këtë moment Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Europiane të Pingpongut. Ky është hapi i parë, por jemi në koordinim edhe me federatën përkatëse edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës që beteja jonë ligjore me Serbinë të vazhdojë edhe në instancat tjera ndërkombëtare”.

Çeku tha se Serbia është shndërruar në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve të Kosovës.

“Kjo s’është hera e parë që sportistëve tonë iu mohohet e drejta për të marë pjesë në kampionate ndërkombëtare”.

Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës kjo ka ndodhur për shkak të, siç tha, përzierjes së politikës së Serbisë në sport.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”, tha KOK përmes një njoftimi të postuar në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme