Kosova e Irlanda e Veriut, përballë njëra-tjetrës me shumë mungesa

Prishtinë | 08 Qer 2022 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Irlanda e Veriut do të përballen në mes vete nesër mbrëma në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Këto dy Kombëtare gjenden në Grupin 2 të Ligës C, ndërsa në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta zhvillojnë duelin e tretë respektiv këtë muaj.

“Dardanët” dhe veri-irlandezët do t’i hyjnë kësaj loje me “një kerr mungesash”, shkruan “Gazeta Express”.

Kosovës do t’i mungojnë portieri Aro Muriç dhe mbrojtësi Fidan Aliti, të cilët u ndëshkuan me kartonë të kuq në sfidën ndaj Greqisë.

Gjithashtu, në ndeshjet e qershorit s’po luajnë as mbrojtësit e krahut: Mërgim Vojvoda e Florent Hadërgjonaj, ndërsa mungon edhe mesfushori ofanziv, Bersant Celina.

Nga ana tjetër, Irlanda e Veriut i ka të lënduar lojtarët si: Stuart Dallas, Josh Magennis, Corry Evans e Craig Cathcart, të cilët do të mungojnë në katër ndeshjet e qershorit.

Kjo ua ka dhënë mundësinë e debutimit këtë muaj lojtarëve të rinj si Shea Charles, Conor McMenamin e Brodie Spencer.

Sidoqoftë, të dyja Kombëtaret janë të vendosura për ta fituar këtë sfidë, shkruan “Gazeta Express”.

Kosova e ka një fitore dhe një humbje, kurse Irlanda e Veriut një barazim e një humbje.

Ndeshja ndërmjet këtyre dy Kombëtareve do të luhet të enjten mbrëma duke filluar nga ora 20:45.

Të ngjashme