Kosova e mbyll me fitore edicionin e dështuar në Ligën e Kombeve, mbetet në grupin C

Prishtinë | 18 Nën 2020 | 22:53 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar me rezultat minimal 1-0 ndaj Moldavisë në ndeshjen e gjashtë apo të fundit të grupeve në edicionit të dytë të Ligës së Kombeve dhe kjo fitore ka bërë që Dardanët të mbesin pjesë e Ligës C.

Dardanët kanë arritur ta mbyllin me fitore ciklin e garave në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve, në ndeshjen zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pjesa e parë e ndeshje u karakterizua me lojë më të mirë dhe dominim të ekipit të drejtuar nga trajneri Muharrem Sahiri, ku përveç rasteve arritën të shënojnë edhe një gol, raporton Telegrafi.

Goli i vetëm në ketë pjesë erdhi në minutën e 31-të dhe ishte sulmuesi Lirim Kastrati, i cili shënoi një gol të bukur për 1-0 pas një topi të kthyer nga mbrojtja kundërshtare.

Në pjesën e parë, Kosova provoi edhe disa herë tjera me Edon Zhegrovën, Valon Berishën dhe Vedat Muriqin, por pa arritur ta tundin rrjetën, ndërsa disa herë u shpëtua nga portieri Samir Ujkani me disa pritje vendimtare.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë thuajse e barabartë, pasi edhe mysafirët tentonin të gjenin golin e barazimit, duke qenë jo rrallëherë të rrezikshëm.

Megjithatë, edhe përkundër rasteve nga të dyja ekipet, portat mbeten të paprekura dhe Kosova mori një fitore të madhe 1-0.

Kosova nga minuta e 84-të luajti me një lojtar më pak, pasi Ibrahim Dresevic u ndëshkua me të kuq pasi ndërpreu një aksion të rrezikshëm të moldavëve.

Kosova e mbyll grupin në vendin e tretë me pesë pikë, ndërsa Moldavia e katërta me një pikë. Sllovenia e fitoi grupin me 14 pikë, ndërsa Greqia e dyta me 12 pikë.

Të ngjashme