Kosova e mbyll vitin e 117-ta në ranglistën e FIFA-s

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, do ta mbyllë vitin 2020 në pozitën e 117 të ranglistës së FIFA-s.

Të enjten, FIFA ka publikuar ranglistën e re për muajin dhjetor, dhe Kosova nuk ka lëvizur nga pozita që ishte edhe muajin e shkuar.

Në fakt, Kosova edhe këtë muaj i ka 1155 pikë, sa i pati edhe në ranglistën e nëntorit. Muajin e shkuar, Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, me një fitore dhe një humbje. Pësoi në udhëtim nga Sllovenia (1:0) derisa në Prishtinë, triumfoi përballë Moldavisë (1:0).

Ndërkohë, lëvizje në ranglistë nuk ka pësuar as Përfaqësuesja e Shqipërisë. “Kuqezinjtë” që u promovuan në Ligën B të Ligës së Kombeve pas dy fitoreve muajin e shkuar ndaj Kazakistanit e Lituanisë. Këtë vit, Shqipëria e mbyll në pozitën e 66 me 1360 pikë, sa i pati edhe gjatë muajit të shkuar. Ndërkohë, ndryshime nuk ka pasur në ranglistë as në dhjetë pozitat e para, si në renditje ashtu edhe në pikë. E para është Belgjika (1780 pikë), e përcjellë nga Franca (1755), Brazili (1743), Anglia (1670), Portugalia (1662), Spanja (1645), Argjentina (1642), Uruguai (1639), Meksika (1632) dhe Italia (1625).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme