Kosova e pret Slloveninë në Fadil Vokrri, me synim për të mbetur në garë për kualifikim

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Ekipi kombëtar i vajzave i Kosovës do të kërkojë te rikthehet te fitorja kundër Sllovenisë, në përpjekje për të mbetur në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian 2021.

Dardanet janë nikoqire të vashave sllovene sonte në orën 18:00 në stadiumin Fadil Vokrri, në takimin e xhiros së pestë të Grupit A kualifikues për Euro 2021.

Kosova vjen nga një humbje e thellë 5:0 kundër Rusisë të shtunën, prandaj është e vetëdijshme se çfarëdo humbje sonte do t’ia shuajë shpresat për kualifikimin nga një grup tejet i vështirë.

Dardanet futen në këtë takim me shpresën për të shënuar përparim, pasi që vetëm një ekip mund të kualifikohet nga i gjithë grupi dhe Kosova aktualisht radhitet në pozitën e katërt me gjashtë pikë, 12 më pak sesa Holanda që është lidere, por e cila i ka zhvilluar dy ndeshje më shumë.

Edhe Sllovenia i ka baras pikë me Kosovën, gjashtë, por e ka zhvilluar një ndeshje më shumë sesa Dardanet.  Përderisa Kosova ka arritur t’i shënojë vetëm katër gola në këto kualifikime dhe i ka pranuar 11, sllovenet kanë goldallim pozitiv me 14 gola të shënuara dhe 10 të pranuara.

Për ndeshjen kundër Sllovenisë do të mungojnë Besiana Reçica dhe Flaka Asllanaj, të cilat kanë obligime të provimeve shkollore në vendet ku jetojnë, derisa në kombëtare debuton Edona Kastrati.

Gjatë këtyre dy ditëve përzgjedhësja Afërdita Fazlija me asistentët e saj, Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli, kanë punuar në aspektin psikologjik me ekipin, në mënyrë që motivi për këtë ndeshje të jetë në nivelin e duhur.

Po ashtu, rëndësi e madhe iu ka kushtuar edhe rreshtimit të skuadrës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke pasur parasysh pësimin e lehtë të golave në ndeshjen e kaluar. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme