Kosova e shkatërron Maltën, 0:5

Prishtinë | 17 Nën 2018 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Kosova e ka shkatërruar 5-0 Maltën në ndeshjen në kuadër të Ligës së Kombeve, që u zhvillua sonte në Valeta.

Milot Rashica ka shënuar në minutën 86.

Më herët, Donis Avdijaj realizoi dy gola të shpejtë, në minutat 78 dhe 80.

Kosova e mbylli pjesën e parë me një gol epërsi. Vedat Muriqi shënoi nga afërsia në minutën e 15-të, pas një topi të vjedhur nga Milot Rashica.

E golin e dytë e shënoi Benjamin Kololli (70′).

Pjesën e dytë nuk e nisi shumë mirë, por e riktheu dominimin, sidomos në 20 minutat e fundit.

Pas kësaj fitoreje, Kosova vazhdon të jetë e para në grup me dy pikë më shumë se Azerbajxhani, kombëtare me të cilën do të përballet më 20 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo është fitorja më bindëse në histori e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës ka shkëlqyer në duel me Maltën, në La Valetta, duke shënuar fitore me rezultat 5:0, në kuadër të grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve. Kjo ishte fitorja më bindëse e Kosovës në historinë e saj të re dhe njëherësh kjo fitore ia mundëson që ta mbajë pozitën e parë në grup, me dy pikë më shumë se sa Azerbajxhani.

Tani “Dardanëve” i mjafton një pikë në ndeshjen e fundit pikërisht kundër azerëve në stadiumin “Fadil Vokrri” për të siguruar kalimin në “play-off” të Ligës D, si dhe promovimin në Ligën C për edicionin e ardhshëm. Kosova e nisi rrufeshëm ndeshjen, duke krijuar raste të shumta.

Në minutën e parë Vojvoda pati mundësi të mirë, por nuk harkimi i tij nuk arriti tek bashkëlojtarët. Në minutën e 3-të, Rashica harkon në zonë, ku gjuan shkëlqyeshëm Muriqi me kokë, por topi shkon pranë shtyllës. Në minutën e 6-të Zeneli depërton nga e majta dhe e shërben Herolind Shalën, ky gjuan furishëm nga distanca, por pran portës.

Gëzimi i parë për “Dardanët” erdhi në minutën e 15-të. Rashica ndërhyn në një top të kthyer nga mbrojta e vendasve dhe topi shkon te Vedat Muriqi, i cili përballë portierit nuk gabon, shënon për 1:0 për Kosovën.

Në minutën e 22-të një kombinim i dyfishtë i Valon Berishës dhe Arbër Zenelit, ku ky i fundit del përballë portierit, por topi devijohet nga portieri. Më pas Valon Berisha kishte dy mundësi të mira në minutat 35’ e 40’, por gjuajtjet e tij nga brendësia e zonës nuk e gjetën cakun. Në periudhën e parë të pjesës së dytë ishin maltezët që morën iniciativën, por në minutën e 70-të qetësinë në kampin e “Dardanëve” e mundësoi Benjamin Kololli me një gol me parabolë, pas një ngatërrese të mbrojtësve vendas, 2:0. Ndërkohë, në 12 minutat e fundit të ndeshjes Kosova mbizotëroi plotësisht. Donis Avdijaj me të hyrë në lojë shënoi pas asistimit të Muriqit, në minutën e 78-të për 3:0, kurse ende pa kaluar dy minuta Avdijaj shënoi edhe golin e dytë kësaj radhe pas asistimit të Rashicës, për 4:0. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 5:0 e vulosi Milot Rashica, në minutën e 86-të, me një gjuajtje nga distanca.

Me këtë fitore Kosova mbetet në vendin e parë me 11 pikë në 5 takime, e ndjekur nga Azerbajxhani me 9 pikë në po kaq takime. Gjithçka tani vendoset të martën në stadiumin mitik “Fadil Vokrri”.

Malta – Kosova 0:5
Stadiumi “Ta’Qali” në La Valleta
Shikues: 2,900

Gjyqtar: Bartosz Frankowski (Poloni)
Malta: A.Hogg, J.Zerafa, J.Caruana, R.Camilleri, Z.Muscat, J.Mbong, R.Muscat, (M.Mifsud 64’), R.Briffa, (P.Fenech 74’), J.Corbolan, (A.Effiong 64’), L.Gambin, A.Schembri. Trajner: Raymond Farrugia
Kosova: S.Ujkani, F.Aliti, A.Rrahmani, M.Vojvoda, H.Shala, H.Kryeziu, M.Rashica, V.Berisha, (B.Halimi 61’), A.Zeneli, (D.Avdijaj 71), B.Kololli, V.Muriqi, (S.Demhasaj 84’). Trajner: Bernard Challandes

Të ngjashme