Kosova e Shqipëria për 90 minuta harrojnë vëllazërinë

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 08:57 | Nga Ekonomia Online

Fjalët për përballje mes vëllezërve kanë qenë prezentë në ditët e fundit. Do të jenë pjesë e diskutimeve edhe pas ndeshjes. Por në ndeshjen që zhvillohet të martën (sot, 19:00) në Elbasan, nuk pritet të mungojë rivaliteti sportiv. Do të ketë angazhim e dëshirë të madhe për sukses. Të dyja palët i kërkojnë tri pikët.

Shqipëria e Kosova, në nivel të Shpresave (U-21), do të luajnë ndeshjen e parë kualifikuese ndërmjet tyre. Ndeshja e përfaqësueseve të dy vendeve shqiptare është e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2021” në futboll për 21-vjeçarët. Aktualisht Kosova qëndron dukshëm më lart se Shqipëria në grup. Nga tri ndeshje i ka mbledhur 6 pikë dhe renditet e treta. Shqipëria i ka katër ndeshje dhe vetëm dy pikë. Renditet e pesta, përkatësisht e parafundit, shkruan sot Koha Ditore.

Të dyja ekipet shqiptare ndeshjen në Elbasan e shohin si rast të mirë për kthim në rrugën e duhur. Kosova fillimisht kishte fituar 4:0 ndaj Andorrës në udhëtim e më pas 3:1 ndaj Turqisë në Prishtinë. Ndërsa më 9 shtator pësoi 2:0 nga Anglia në Hull, në një ndeshje ku pati paraqitje solide. Shqipëria ka pësuar fillimisht 2:1 në shtëpi nga Turqia e më pas barazoi 2:2 me Andorrën në udhëtim. Në ndeshjen e tretë barazoi me Turqinë në udhëtim, ndërsa në të katërtën u mposht 4:0 nga Austria në Durrës. Edhe kjo ndeshje ishte luajtur më 9 shtator.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme