Kosova favorite e madhe kundër Moldavisë – sipas bastoreve botërore

Prishtinë | 18 Nën 2020 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar bindshëm Kosovën kundër Moldavisë, në përballjen e fundit të Grupit 3 mes tyre në Ligën C, e cila do të jetë përcaktuese se cila prej këtyre ky kombëtareve do të bjerë në Ligën D – nivelin e fundit të futbollit në Ligën e Kombeve.

Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, Bet-at-home, e sheh Kosovën si favorite të madhe pasi i ka vënë kuotën 1.48 për të fituar, derisa fitores së mundshme të Moldavisë i vë kuotë shumë të lartë, 7.40. Barazimi vlerësohet me kuotën 3.90, shkruan Gazeta Express.

Edhe shtëpitë e tjera të basteve e favorizojnë dukshëm kombëtaren verdhekaltër përballë Moldavisë.

Dardanët e presin Moldavinë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në një ndeshje finale për të dy kombëtaret që nis në orën 20:45.

Kosova është në vendin e tretë në Grupin 3 më një pikë më shumë se Moldavia që renditet e fundit dhe një barazim do t’ia siguronte qëndrimin në Ligën C dardanëve.

Verdhekaltrit janë në formë dëshpëruese dhe tejet të dobët, pasi përveç se nuk e kanë asnjë fitore në këtë edicion të Ligës së Kombeve, nuk dinë për fitore që prej tetorit të vitit të kaluar.

Mungesat e shumta mund të jenë problem për Kosovën sërish, pasi përveç Milot Rashicës dhe Leart Paqaradës që munguan në të gjitha ndeshjet e këtij muaji, Bernard Berisha që tregoi formë të lartë në humbjen 2:1 kundër Sllovenisë në fundjavë, do të mungojë shkaku i kartonëve, njëlloj si edhe Benjamin Kololli.

Arbër Zeneli, Florent Muslija dhe Idriz Voca mbesin jashtë shkaku i lëndimeve. Betim Fazliji ka probleme me dokumente dhe nuk do të mundë të paraqitet.

Ndërkohë, në kombëtare është rikthyer Bersant Celina pas një shqetësimi që kishte dhe është ftuar Armend Thaci i Ballkanit nga Superliga, për shkak të mungesave në mbrojtje.

Trajneri Bernard Challandes mbetet pozitiv me koronavirus, prandaj edhe në ndeshjen e fundit të këtij viti, verdhekaltrit do të udhëhiqen nga ndihmëstrajneri Muharrem Sahiti.

Kjo do të jetë ndeshja e fundit për Kosovën më 2020.

Në fund të këtij muaji, Kosova do t’i mësojë kundërshtarët për kualifikime në Kupën e Botës 2022 – në të cilën do të marrë pjesë për herë të dytë – në mars të vitit 2021.

Të ngjashme