Kosova futet në ndeshjen më të rëndësishme të saj me seri prej tri humbjeve

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Seria prej 15 ndeshjeve pa humbje e ka ngritur Kosovën në nivel dukshëm më të lartë se që ishte gjatë serisë prej nëntë humbjeve rresht. Gjatë serisë pozitive, përfaqësuesja e Kosovës në futboll ia ka dalë të sigurojë edhe plejofin e Ligës D të Ligës së Kombeve, përkatësisht rrugën e dytë drejt kualifikimit në Evropianin e këtij viti.

Kosova më 26 mars e luan ndeshjen më të rëndësishme të saj – ndaj Maqedonisë Veriore në Shkup, në gjysmëfinale të plejofit. Nëse e fiton atë ndeshje, më 31 mars luan me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë, prapë në udhëtim, në finale të plejofit. Nëse e fiton edhe atë ndeshje, kualifikohet në “Euro 2020”, shkruan sot Koha Ditore.

Në ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore, Kosova futet pas një miniserie tjetër. Miniseria prej tri ndeshjeve është negative, vetëm me humbje. Por te Kosova vlerësojnë se ajo nuk do të ndikojë fare në atmosferën pozitive që është te përfaqësuesja para ndeshjes vendimtare.

Kosova ishte në garë për kualifikim në Evropian përmes kualifikimeve të rregullta thuajse deri në fund. Vendimtare ishte ndeshja ndaj Çekisë e luajtur më 14 nëntor në Plzen. Atë ndeshje “dardanët” e humbën me shifrat 2:1. Kështu ndeshja përfundimtare e Kosovës në cikël eliminator, ajo e 17 nëntorit ndaj Anglisë në Prishtinë, humbi peshën sa i takon rezultatit. Kosova tashmë ishte e eliminuar. Anglia fitoi 4:0 në Prishtinë, por ajo humbje nuk u vlerësua e rëndë.

Të ngjashme