Kosova gjen në Zvicër edhe portieren e përfaqësueses së hendbollit

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka vazhdimisht në përbërje të paktën shtatë futbollistë që bëjnë karrierë në Zvicër. Të tjerë lojtarë nga Zvicra janë te Shpresat e Kosovës e po ashtu në grupmoshat e reja. 

Selektori Bernard Challandes është zviceran, ndërsa edhe përfaqësuesja e futbollisteve merr lojtare në shtetin helvetik, shkruan sot Koha Ditore.

Por jo vetëm futbolli po përfiton nga zhvillimi i të rinjve shqiptarë në Zvicër. Të hënën është bërë e ditur që përfaqësueses së Kosovës në hendboll i është bashkuara portierja Kristina Ukaj. 

20-vjeçarja po shfaq formë të lartë në skuadrën SPONO Eagles, që është prej kryesoreve në Superligën e Zvicrës. 

Pikërisht klubi zviceran ka njoftuar se Ukaj tashmë mund të llogaritet pjesë e Kosovës. Ajo është e lindur në Zvicër, ndërsa ka shtetësi edhe të Kroacisë. Por prindërit i ka nga Kosova dhe në Federatën e Hendbollit të Kosovës nuk presin që të kenë telashe për ta regjistruar.

“Kristina Ukaj pas konsultimit me klubin, me drejtorin sportiv dhe me prindërit e saj, ka vendosur të luajë për ekipin nacional të Kosovës në të ardhmen. Kristina ndihet shumë e nderuar dhe është e vetëdijshme për angazhimin që e pret”, thuhet në letrën që ia ka dërguar FHK-së, Mirco Stadelmann, drejtor sportiv i klubit SPONO Eagles. 

Ukaj në të kaluarën ka luajtur për të rejat e Zvicrës. Ndërkohë pësoi një lëndim të gjurit që e mbajti jashtë për kohë të gjatë dhe humbi paksa hapin në karrierë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme