Kosova i vazhdon sot përgatitjet për përballjen me Irlandën e Veriut

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës do t’i vazhdojë sot përgatitjet për ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve.

“Dardanët” do ta zhvillojnë seancën e radhës stërvitore para duelit të së enjtes ndaj Irlandës Veriore.

Siç njofton Federata e Futbollit të Kosovës, Vedat Muriqi me shokë do të ushtrojnë nga ora 10:30 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Verdhekaltrit do të ushtrojnë edhe nesër lehtë, ndërsa pasnesër do të zbresin në fushën e blertë, shkruan “Gazeta Express”.

Kosova vjen nga paraqitja e zbehtë që e shfaqi të dielën ndaj Greqisë, nga e cila u mposht në shtëpi, 0:1.

Paraprakisht, ekipi i Alain Giresset e kishte mundur Qipron në udhëtim, 2:0.

Pra, trupa kosovare të enjten do ta kërkojë fitoren e dytë në Grupin 2 të Ligës C.

Krahas mungesave të tjera që s’ishin prezentë në dy ndeshjet e para, Kosovës ndaj veri-irlandezëve do t’i mungojnë të ndëshkuarit me kartonë të kuq, portieri Aro Muriç dhe qendërmbrojtësi Fidan Aliti.

Të ngjashme