Kosova ka synime të mëdha në vitin e Olimpiadës dhe Evropianit të futbollit

Prishtinë | 03 Jan 2020 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Kosova menjëherë në janar do të debutojë në një ngjarje ndërkombëtare sportive, në vitin për të cilin shpresohet që kulmi të arrihet gjatë verës.

Do të jenë skitarët e rinj, Drin Kokaj e Era Shala, që do ta prezantojnë vendin në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj që mbahen në Lausanne të Zvicrës. Kjo ngjarje olimpike për sportistët e rinj mbahet prej 9 deri më 22 janar. Ka gjasa fare të vogla që Kosova të marrë medalje në edicionin e tretë të LOD për të Rinj.

Por ndryshe qëndrojnë gjërat për ngjarjen kryesore sportive të vitit – Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”. Falë nivelit të arritur nga sporti i xhudos, Kosova synon medalje në ngjarjen kryesore, jo vetëm sportive, të vitit. Lojërat Olimpike “Tokio 2020” mbahen prej 24 korrikut deri më 9 gusht. Pritet pjesëmarrja e mbi 11 mijë sportistëve nga 206 vende të botës. Do të garohet në 39 ngjarje sportive në 33 porte të ndryshme. Në mesin e 11 mijë sportistëve do të jetë edhe një “grusht” sportistësh nga Kosova, por disa prej tyre do të udhëtojnë me gjasa të mëdha për t’u kthyer në atdhe me medalje rreth qafës, shrkaun sot Koha Ditore.

Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj janë shumë larg prej bujës dhe nivelit që kanë Olimpiadat verore. LOD për të Rinj së pari janë mbajtur në vitin 2012 në Innsbruck të Austrisë në vitin 2012. Edicioni i dytë u mbajt në Lillehammer të Norvegjisë në vitin 2016, kurse tani është edicioni i tretë në Lausanne të Zvicrës. Pritet pjesëmarrja e 1.880 sportistëve nga 73 shtete. Kosova është në mesin e të paktën 12 shteteve që debutojnë në këtë ngjarje. Do të garohet në tetë sporte të ndryshme dimërore, ndërsa Drin Kokaj e Era Shala do të garojnë në skijim alpin, në sllallom dhe sllallom të madh. Bazuar në rezultatet e deritashme të skitarëve kosovarë dhe nivelin e skijimit në vend, përfshirja në garë për medalje do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për dy përfaqësuesit e vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme