Kosova luan në janar me Suedinë, Challandes do të ftojë dhe lojtarë nga Superliga

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Trajneri Bernard Challandes pritet t’i provojë disa lojtarë, përfshirë këtu edhe ata të Superligës, në miqësoren e muajit të ardhshëm në Doha të Katarit.

Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë vitin 2020 me një ndeshje miqësore.

Federata e Futbollit të Kosovës njofton se “Dardanët” do të luajnë me Suedinë më 12 janar.

Shtëpia e futbollit kosovar gjithashtu zbulon se kjo ndeshje miqësore do të luhet në Doha të Katarit.

Siç mëson Express, trajneri Bernard Challandes do t’i ftojë edhe disa lojtarë të Superligës për këtë ballafaqim.

Në të kaluarën, trajnerët e Superligës janë ankuar se nuk po ftohen futbollistët e kampionatit vendor, ndërsa tash do të jetë një mundësi e artë për disa prej tyre që ta sprovojnë veten tek ekipi kombëtar.

Në mesin e të ftuarve mund të jetë edhe treshja e Ballkanit, e cila shkëlqeu në pjesën e parë të kampionatit, Blend Baftiu Arbër Hoxha dhe Jetmir Topalli.

Por, mund të ketë edhe ndonjë ftesë për lojtarë të tjerë të elitës së futbollit kosovar.

Gjithashtu, trajneri zviceran do t’ua japë rastin edhe lojtarëve që kanë më pak hapësira tek Përfaqësuesja në ndeshje zyrtare.

Ky test do t’i shërbejë trajnerit Challandes për t’u përgatitur për ndeshjen e rëndësishme të muajit mars ndaj Maqedonisë së Veriut, e vlefshme për gjysmëfinalen e “Play-Offit” të Ligës së Kombeve.

Kosova bëri paraqitje mbresëlënëse në kualifikimet e Euro 2020.

Edhe pse përfunduan në pozitën e tretë në Grupin A, Verdhekaltrit dolën me kokën lartë për atë që e treguan.

FFK-ja do të japë të martën detaje shtesë rreth ndeshjes miqësore me Suedinë.

Të ngjashme