Kosova me 11 humbje rresht në kualifikime për Botëror

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës e ka pësuar humbjen e dytë në po aq ndeshje të luajtura në kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

Të mërkurën, “Dardanët” janë mposhtur nga Spanja si mysafir 3:1. Ndërkaq të dielën që shkoi humbën në Prishtinë nga Suedia 3:0. Një gol i shënuar nga Besar Halimi dhe gjashtë të pësuar, është bilanci i kosovarëve.

Këto dy disfata kanë bërë që Kosova të renditet e fundit në Grupin B pa asnjë pikë. Në këtë grup, lidere është Spanja me 7 pikë, Suedia është e dyta me 6 sosh, por me një ndeshje më pak të luajtur. Greqia renditet e treta me 2 pikë, kurse Gjeorgjia ka një pikë dhe zë vendin e katërt. Kjo është hera e dytë që përfaqësuesja e Kosovës po merr pjesë në kualifikime për Botëror.

Kosova ka 11 humbje rresht në ndeshjet eliminatore për Botëror, duke llogaritur nëntë disfatat në kualifikimet për Botërorin “Rusia 2018”.

Në 12 ndeshje në total, Kosova ka arritur vetëm një barazim 1:1 me Finlandën në ndeshjen debutuese në shtator të vitit 2016. Në ndeshjet kualifikuese për “Rusia 2018”, Kosova drejtohej nga Albert Bunjaki, kurse tani në krye të “Dardanëve” është zvicerani Bernard Challandes.

Të ngjashme