Kosova me mungesa ndaj Turqisë, por synon fitoren e radhës

Prishtinë | 23 Tet 2020 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) është njëra prej pesë ekipeve që i ka shkaktuar humbje Turqisë në ciklin aktual. Në hapje të kampanjës kualifikuese për Kampionat Evropian të vitit 2021, Kosova e pati mposhtur Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultatin 2:0.

Kosova sërish luan ndaj Turqisë, por me shumë mungesa në përbërje në krahasim me ekipin e ndeshjes së parë, transmeton KOHA.

Kosova të premten (sot, 18:00) në Manavgat do të paraqitet me shumë ndryshime në formacion. Megjithatë, synimi i futbollisteve nuk ka ndryshuar. Edhe në ndeshjen e së premtes, që është e shtata për të dyja përfaqësueset, Kosova synon fitore.

Kosova në fushë do të udhëhiqet nga futbollistja e Freiburgut, Erëleta Mehmeti.

Ajo thotë se është e gatshme ta japë maksimumin për ta ndihmuar Kosovën drejt trepikëshit të ri.

“Atmosfera është e mirë në ekipin kombëtar të Kosovës. Të gjitha jemi të gatshme ta japim maksimumin dhe në Turqi kemi ardhur për ta fituar ndeshjen. Do të jetë ndeshje e vështirë, por ne do të mundohemi që ta japim maksimumin tonë për ta vazhduar me fitore rrugëtimin në këtë cikël të kualifikimeve për Evropian. Personalisht, por mund të them se edhe lojtaret e tjera, jemi të përgatitura maksimalisht, edhe pse pandemia na ka detyruar t’i nisim përgatitjet pak me vonesë, por besoj se do ta arrijmë një rezultat pozitiv”, ka thënë Mehmeti të enjten për KOHËN.

Kosova, të enjten, ka mbërritur në Turqi, derisa pasdite e ka zhvilluar edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme