Kosova merr vetëm një pikë në udhëtim kundër Malit të Zi

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 22:52 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar edhe një barazim në rrugëtimin e saj drejt kampionatit evropian 2020.

Në përballjen kundër Malit të Zi, në Podgoricë, kombëtarja e Kosovës dominoi takimin, por nuk arriti të merrte tri pikët.

Ishin pikërisht Dardanët ata që kaluan të parët në epërsi, kur Milot Rashica shtyu topin drejt rrjetës në minutën e 25’, shkruan lajmi.net.

Vetëm 10 minuta më vonë, Kosova morri një lajm të keq, pasi ylli i kombëtares, Arbër Zeneli, pësoi një dëmtim që ia pamundësoi vazhdimin e takimit.

Në pjesën e dytë, Mali i Zi ishte diçka më kërkues se në pjesën e parë, por rastet përsëri i takonin Kosovës.

Shumë raste të lëshuara nga djelmoshat tanë i dhanë mundësinë kombëtares malazeze që të barazonin shifrat.

Ishte minuta e 69’ kur Stefan Mugosa ndëshkoi kombëtaren e Kosovës, pas një tollovie të krijuar në zonën dardane.

Kosova pati edhe një mundësi të mirë me Rrahmanin, por topi nuk gjeti rrugën e rrjetës.

Me këtë rezultat, Kosova tashmë gjendet në pozitën e tretë, me 2 pikë të grumbulluara pas 2 takimeve.

Të ngjashme