Kosova miqësore me Katarin

Prishtinë | 09 Shk 2021 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Aktivitetin e parë të vitit 2021 Kombëtarja U21 do ta zhvillojë në pranverë.

Në fakt, më 26 mars Dardanët e rinj do të përballen me Katarin në kryeqytetin Doha, ndërkohë që ekziston mundësia të zhvillohet edhe një miqësore tjetër tri ditë më pas.

Miqësorja me Katarin vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy federatave, thuhet në komunikatën e FFK-së.

Ndonëse ky takim ka kohë që është aranzhuar, gjithçka do të varet nga gjendja me pandeminë. Situata me Covid-19 do ta determinojë edhe praninë e lojtarëve kosovarë, të cilët janë të angazhuar në klubet evropiane.

E në Doha të Katarit do ta ketë debutimin si përzgjedhës i U21, trajneri gjerman Michael Nees, i cili u emërua në këtë pozitë muajin e kaluar. Ai në këtë grumbullim do të ketë në dispozicion futbollistët e gjeneratës 2000/2001.

Ky grumbullim në Katar do t’i shërbejë Kombëtares U21 për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2023, ku bën pjesë në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën e Çekisë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën.

Ndeshjen e parë kualifikuese Kosova U21 do ta luajë më 8 qershor si vendase kundër Andorrës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme