Kosova mposht Serbinë në ndeshjen ku pati vetëm futboll

Prishtinë | 01 Mar 2019 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Luigj Buqaj si futbollist ka shijuar suksese të mëdha në futbollin e Kosovës. Së fundi është bërë trajner dhe tash ka arritur një sukses të veçantë.

Ai po udhëheq një përzgjedhje të priftërinjve katolikë të Kosovës, që po marrin pjesë në Evropianin e futsallit për këtë komunitet në Tivar dhe Ulqin, shkruan sot Koha Ditore.

Grupin e kaloi si lidere, me tri fitore e një barazim, por një nga këto fitore ishte e veçantë. Kosova mposhti Serbinë të martën me rezultatin 4:0, në një ndeshje “krejt normale” dhe larg atmosferës që mbretëron kur bëhet fjalë për këto dy vende fqinje, qoftë për politikë, ekonomi e sport.

Para ndeshjes, ekipet ndërruan stemat e federatave të futbollit, pozuan bashkë dhe më pas ndeshja shkoi në frymë krejt sportive, sipas atyre që po marrin pjesë në këtë garë.

“Ishte një ndeshje shumë e bukur, pavarësisht rezultatit që në këtë rast ishte sekondar për ne. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë dhe shpresojmë që kjo ndeshje të shërbejë si urëlidhëse edhe për ndeshjet në sportet e tjera”, ka thënë Don Marjan Topalli, prift katolik në Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme