Kosova mposhtet nga Greqia në “Fadil Vokrri”

Prishtinë | 05 Qer 2022 | 22:56 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës është mposhtur nga Greqia në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve për muajin qershor.

“Dardanët” humbën minimalisht 0:1 nga Kombëtarja greke në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Epilogu i takimit të vlefshëm për grupin 2 të Ligës C u vendos në minutën e 36-të kur Bakasetas realizoi gol të bukur nga një distancë jo e afërt.

Të besuarit e trajnerit francez, Alain Giresse përkundër tentimeve, nuk arritën ta dërgojnë topin në kuadratin e portës së grekëve që të paktën ta shmangin humbjen.

Kosova e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë në fushë, ngase Fidan Aliti në minutën e 71-të dhe Aro Muriq në minutën e parë shtesë u ndëshkuan me karton të kuq.

Me këtë disfatë, Kosova bie në pozitën e dytë me tri pikë në grup, kurse grekët marrin lidershipin me gjashtë pikë.

Irlanda e Veriut pozicionohet në vendin e tretë me një pikë, aq sa ka edhe Qipro në vendin e fundit.

Të ngjashme