Kosova mund të bëhet vendi i 34-të që siguron Evropianin

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria, Islanda, Irlanda e Veriut, Sllovakia e Uellsi janë përfaqësueset që kanë debutuar në kampionatin e kaluar evropian të futbollit, të mbajtur në vitin 2016 në Francë. Në Evropianin e vitit 2012 kishte debutuar Ukraina, ndërsa në atë të vitit 2008 përfaqësuese debutuese ishin Austria e Polonia.

Të paktën dy përfaqësuese do të debutojnë edhe në Evropianin e vitit 2020 që mbahet në shumë vende të Kontinentit të Vjetër. Njëra prej tyre mund të jetë përfaqësuesja e Kosovës. Kosova këtë javë e ka “sulmin final” në tentimin e parë për të siguruar paraqitjen në Evropian. Nëse nuk ia del e ka edhe një rast rezervë, përmes plejofit të Ligës së Kombeve të UEFA-s, vitin e ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.

Por në prag të ndeshjeve vendimtare me Çekinë dhe Anglinë, pakkush prej tifozëve të shumtë të Kosovës e mendon rrugën e dytë drejt evropianit. Ka optimizëm në vend se Kosova do të sigurojë evropianin në tentimin e parë dhe kjo përmes rrugës kryesore. Kosova të enjten luan në Plzen ndaj Çekisë. Nëse shmang humbjen, atëherë të dielën do të vendoset për kualifikimin e saj. Të dielën në Prishtinë luhet takimi Kosova – Anglia, i fundit i këtij cikli eliminator.

Janë 33 përfaqësuese që kanë garuar në kampionate evropiane deri më tash. Janë mbajtur 15 kampionate evropiane deri më tash, i pari në vitin 1960. Kosova aktualisht është në grupin e përfaqësueseve evropiane që nuk janë paraqitur ende në ngjarjen më të madhe kontinentale të futbollit. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnjë-Hercegovina, Qipro, Gjermania Lindore (që nuk ekziston më), Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Gjeorgjia, Gjibraltari, Izraeli, Kazakistani, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore e San Marino.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme