Kosova mund të përfitojë ndonjë lojtar nga ndryshimi i rregullores së FIFA-s

Prishtinë | 19 Sht 2020 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Ditë më parë në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë thënë se Albion Ademi e ka humbur të drejtën që të luaj për Kosovën. Ademi ka kaluar nga Finlanda te Shqipëria, ndërsa nuk e ka të drejtën të luaj për përfaqësuesen e tretë.

Për këtë temë – të ndryshimit të përfaqësueseve – FIFA të premten mori një vendim të ri. Vendimi u mor në Kongresin e 70-të të FIFA-s, që është mbajtur “online”. Vendet anëtare të FIFA-s kanë vendosur që të lejohet ndryshimi i përfaqësueses nga ana e lojtarëve, por duke plotësuar kushte të shumta, transmeton KOHA.

Me gjithë kushtet e shumta, prej këtij ndryshimi mund të përfitojë edhe ndonjë lojtar kosovar. Këtë nuk e përjashtojnë në Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Duhet të marrim fillimisht shkresën e FIFA-s me të gjitha detajet dhe më pas të analizojmë dhe të shohim se a kemi lojtarë që mund të përfitojnë prej saj. Natyrisht nëse janë lojtarë që bëjnë pjesë në planet tona”, ka thënë Bajram Shala, menaxher i Kosovës.

“Pikat në vendimin e FIFA-s janë të qarta. Tash duhet të shohim se a kemi lojtarë që i përmbushin ato pika dhe që kanë interesim të luajnë për Kosovën, e në të njëjtën kohë ne të jemi të interesuar për ta”, ka shtuar Shala, që merret edhe me “rekrutimin” e lojtarëve te Kosova.

Sa i takon ndryshimit të përfaqësueses ka zhvillime herë pas here. Ndër vite ka pasur edhe paqartësi po ashtu.

Pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, lojtarëve kosovarë iu lejua që të zgjedhin nëse do të luajnë për Kosovën apo do të luajnë për përfaqësueset në të cilat ishin. Disa vendosën për Kosovën e disa mbetën te përfaqësueset ku ishin. Por, lojtarët që kanë luajtur në nivel senior ndeshje zyrtare pas pranimit të Kosovës në FIFA, e kanë humbur të drejtën e zgjedhjes.

Aktualisht vlen edhe rregulli që lojtarët që luajnë për përfaqësuese të reja të vendeve tjera, mund të vendosin për përfaqësuese tjetër në nivel senior. Por, jo të ndryshojnë më shumë se dy përfaqësuese.

Të ngjashme