Kosova, ndeshja e jetës për maqedonasin që ka fituar gjithçka me klube

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Goran Pandev është bindshëm lojtari më i njohur dhe më i suksesshëm i Maqedonisë Veriore. Pandev është në fazë përfundimtare të karrierës, por 36 vjeçari ka një synim që bie ndesh me synimin e Kosovës dhe tifozëve të saj. 

Sulmuesi synon që me Maqedoninë Veriore të fitojë plejofin e Ligës D të Ligës së Kombeve dhe të kualifikohet për në Evropianin e këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.

Në gjysmëfinale të plejofit, Maqedonia Veriore luan ndaj Kosovës, më 26 mars në Shkup. Finalja e plejofit është më 31 mars, kurse do të luhet në Gjeorgji apo Bjellorusi. 

Maqedonia Veriore luan në kualifikime që nga ato për “Euro 1996”, ndërsa nuk është kualifikuar ndonjëherë në ngjarje të madhe. Në fakt as që ishte afër. Njëjtë si Kosova e kërkon kualifikimin në “Euro 2020” përmes plejofit, pasi në kualifikime të rregullta ka përfunduar në vend të tretë. 

Përvoja e Pandevit mund t’i shërbejë shumë Maqedonisë Veriore në ndesh jen ndaj Kosovës. Ai luan në nivel të lartë për një dekadë e gjysmë. Vazhdon të jetë pjesë e Serie A, përkatësisht e Genoas.

Për Maqedoninë Veriore, Pandev luan që nga viti 2001. Prin për numrin e ndeshjeve (106) e po ashtu për gola të shënuar (36). Është kapiten i përfaqësueses së Maqedonisë Veriore dhe ka numrin më të madh të ndeshjeve si kapiten.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme