Kosova në grup të vështirë, por me shpresë për kualifikime të suksesshme

Prishtinë | 08 Dhj 2020 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Nëse për bazë merren vazot e shortit, atëherë secila pozitë, pos e fundit, do të jetë ecje para për Kosovën. Kosova, sipas shortit, vlerësohet përfaqësuesja më e dobët e grupit B të eliminatoreve evropiane për Botërorin 2022 në futboll. Kosova është në grup me pesë përfaqësuese, ndërsa në short ishte në vazon e pestë. Pra, të fundit sa i takon grupit të saj.

Spanja, Suedia, Greqia e Gjeorgjia janë katër përfaqësueset e tjera të këtij grupi. Ish-kampionia e botës, Spanja, llogaritet pa konkurrencë në grup. Suedia do ta kërkojë pozitën e dytë, njëjtë si Greqia. Por për pozitën e dytë shpresojnë të luftojnë edhe Gjeorgjia, që në short ishte në vazon e katërt, dhe Kosova.

Pozita e parë dërgon në Botërorin që mbahet në Katar në nëntor e dhjetor të vitit 2022. Pozita e dytë dërgon në plejof. Ka pak optimizëm se Kosova mund të renditet e dyta.

Shorti i kualifikimeve evropiane për “Katari 2022” është tërhequr të hënën mbrëma në Zuerich.

Kosova në fakt është dashur të jetë në grupin A, por për shkak se aty ishte Serbia, u zhvendos në B. UEFA, e rrjedhimisht edhe FIFA, nuk lejon përballjet e Kosovës me Serbinë, Rusinë e Bosnjë-Hercegovinën. Në grup Kosova i ka përfaqësueset e tri shteteve që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Spanja, Greqia e Gjeorgjia nuk e pranojnë Kosovën.

Shorti nuk është pritur me entuziazëm edhe për shkak të rënies së madhe të Përfaqësueses së Kosovës në vitin e fundit. Fitoret ishin të rralla, humbjet të shpeshta, ndërsa ka pasur akuza ndaj lojtarëve për mungesë përkushtimi. Kosova nuk ia ka dalë në Ligën C të Ligës së Kombeve, që është nivel dukshëm më i dobët se që është grupi. Të paktën Spanja e Suedia janë shumë larg prej nivelit të Ligës C. Greqia e Gjeorgjia kanë garuar në Ligën C të Ligës së Kombeve të UEFA-s, njëjtë si Kosova.

Spanja e Suedia do të luajnë në Evropianin e vitit tjetër, ndërsa janë në të njëjtin grup. Është vlerësuar se Suedia është e vetmja që mund ta sfidojë seriozisht Spanjën. Greqia, Gjeorgjia e Kosova janë vlerësuar pa gjasa, sa i takon luftës për dy pozitat e para.

“Sërish e kemi Suedinë në grup si rival dhe nuk jam aspak i kënaqur me këtë, por supozoj që edhe ata nuk janë të kënaqur që sërish do të përballen me ne. Kemi luajtur kundër saj në kualifikimet për Evropian dhe nuk ka qenë aspak lehtë, kështu që sërish do të kemi telashe. Përfundimisht nuk do të jetë lehtë dhe këtë e kam parasysh. Cikli kualifikues i Botërorit është shumë emocionues dhe na pret një punë e vështirë, por besoj se do të jemi të gatshëm për rezultate të mira dhe pjesëmarrje në Kampionatin Botëror”, ka thënë seleksionuesi i Spanjës, Luis Enrique.

Spanja ishte kampione e botës në vitin 2010. Në Botëror merr pjesë rregullisht. Në Botërorin e kaluar u ndal në raundin e parë nokaut. Të mbetet jashtë Botërorit do të ishte dështim i pamenduar për Spanjën. Spanjollët kanë edhe tre tituj të Evropës, të fundit në vitin 2012. Gjenerata aktuale e yjve spanjoll vlerësohet e denjë për të fituar titull tjetër të madh. Për të siguruar kualifikimin, as që dyshohet.

Edhe Suedia llogarit shumë në gjeneratën aktuale. Në Botërorin e fundit suedezët luajtën në çerekfinale. Në Evropianët e fundit janë ndalur në fazën grupore. Është përmendur mundësia e kthimit të superyllit Zlatan Ibrahimoviq për Evropian, ndërsa gjasat që ai të luajë në kualifikime thuajse nuk ekzistojnë. Por lojtar të tjerë si Dejan Kulusevski, Victor Lindelof, Eml Krafth, Emil Frosberg, Alexander Isak e të tjerë vlerësohen me shumë potencial.

“Është një grup interesant. Janë vetëm dy ekipe, Greqia dhe Gjeorgjia, me të cilat nuk jemi takuar derisa me Kosovën kemi luajtur në janar. Sfida e madhe, e që është ajo për vendin e parë dhe direkt në Botëror, është me Spanjën, natyrisht, me të cilën jemi takuar edhe në kualifikimet për Evropian dhe i kemi humbur dy ndeshjet. Spanja është ekip i mirë, por nuk mund të them se jemi të mposhtur prej tyre në këto kualifikime”, ka thënë selektori i Suedisë, Janne Andersson.

Greqia, kampione e Evropës nga viti 2004, po kërkon kthimin në rrugën e sukseseve. Ndaj Kosovës, sidomos në Athinë, është shfaqur e cenueshme. Por grekët në Ligën e Kombeve mblodhën 12 pikë, në krahasim me 5 sa i kishte Kosova. Në Prishtinë, Greqia kishte fituar në një fazë me shumë probleme për Kosovën.

Gjeorgjia kishte përfunduar pas Armenisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nga Maqedonia e Veriut e humbi edhe finalen e plejofit të Ligës D (edicioni i parë). Maqedonia e Veriut u kualifikua në Evropian, kurse Gjeorgjia mbeti jashtë, njëjtë si Kosova, që humbi prej Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale.

Gjeorgjianët nuk kanë ndonjë lojtar në nivelet më të larta evropiane. Por Gjeorgjia nuk është përfaqësuese pa nivel. Është vlerësuar e përafërt me Kosovën.

Me Suedinë B, Kosova është përballur më 12 janar në Katar, pra në vendin ku luhet Botërori i ardhshëm. Edhe Kosova luajti me ekipin B. Ishte paraqitur prej atyre që ftohen rregullisht, Anel Rashkaj dhe disa të tjerë.

Rashkaj ka të kaluar të gjatë në Suedi. Ish-kapiteni shpreson që ndeshjet me Suedinë të luhen me shikues.

“Nuk ka grup të lehtë në këto kualifikime. Spanja dihet se çfarë kualiteti ka. Suedia është stabile. Greqinë dhe Gjeorgjinë i njohim nga Liga C. Shpresoj të jetë me shikues me Suedinë në udhëtim. Stadiumi do të mbushej me tifozët tanë, pasi ka shumë shqiptarë në Skandinavi”, ka thënë Rashkaj për KOHËN.

“Suedia e ka një gjeneratë të re, shumë të talentuar dhe me shumë potencial. Por të shohim se a është e gatshme për ta dërguar Suedinë përpara menjëherë”, ka shtuar mesfushori.

Ndeshjet e para kualifikuese luhen në mars të vitit të ardhshëm. Në mars janë tre terminë, kurse terminët e tjerë janë në shtator, tetor e nëntor.

Kosova për herë të dytë paraqitet në kualifikime për Botëror. Në kampanjën e parë kishte marrë vetëm një pikë ndaj Finlandës në udhëtim. Ndeshjet e tjera i kishte humbur. Këtë herë synohen shumë më tepër pikë. Ndërkohë, arritja në plejof do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.

Të ngjashme