Kosova në Podgoricë kërkon të mbetet e pamposhtur

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll do të zhvillojë ndeshjen e radhës kundër Malit të zi në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Ndeshja do të zhvillohet sonte në stadiumin e qytetit të Podgoricës, me fillim nga ora 20:45.

Prej se Bernard Challandes është në krye të “Dardanëve”, Kosova nuk ka pësuar humbje.

Kampanjën e kanë nisur në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Bullgarisë duke barazuar me rezultat 1 me 1.

Verdhe e kaltërit kanë udhëtuar për në kryeqytetin malazez për të mbetur të pamposhtur edhe në ndeshjen e 14-të.

Edhe pse do të jetë vendase, Mali i Zi s’do ta ketë përkrahjen e tifozëve në stadium për ndeshjen kundër Kosovës, pasi që malaziasit janë dënuar nga UEFA për thirrjet raciste gjatë ndeshjes me Anglinë.

Kujtojmë se Kosova fillimisht do të përballet me Malin e Zi në Podgoricë këtë të premte, pastaj tre ditë më vonë, “Dardanët” do të udhëtojnë në Sofje për përballjen me Bullgarinë.

Që të dyja këto ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupit A të kualifikimeve në EURO 2020.

Tashmë janë zgjedhur gjyqtarët që do ta ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Kombëtareve gjatë qershorit. Ndeshjen mes Malit të Zi dhe Kosovës do ta referojnë gjyqtarë nga Italia.

Gjyqtar kryesor për përballjen mes malaziasve dhe “Dardanëve” do të jetë Daniele Orsato, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Lorenzo Manganelli dhe Giorgio Peretti. Detyrën e gjyqtarit të katërt do ta kryej Michael Fabbri.

Të ngjashme