Kosova në vazon e pestë para shortit të kualifikimeve për Botëror

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) të premten mëson kundërshtarët në kualifikimet për Botërorin e ardhshëm. Numër rekord prej 51 përfaqësueseve evropiane janë paraqitur për të garuar në kualifikime. Shorti për përfaqësueset evropiane tërhiqet nga ora 13:30. Kualifikimet do të luhen në gjashtë grupe me nga gjashtë skuadra dhe tri me nga pesë skuadra.

Botërori i ardhshëm i futbollit zhvillohet në vitin 2023 në Australi e Zelandë të Re. Është Kampionati i nëntë Botëror për futbolliste. Botërori i kaluar është mbajtur në Francë në vitin 2019.

Kosova në short do të jetë në vazon e pestë, së bashku me Turqinë, Maltën, Kazakistanin, Moldavinë, Qipron, Ishujt Faroe, Gjeorgjinë dhe Letoninë. Nëse qëllon në grup me pesë, do të jetë përfaqësuesja që të paktën në letër ka më së paku gjasa për kualifikim. Nëse qëllon në grup me gjashtë, do të ketë një përfaqësuese që llogaritet më e dobët. Ndarja nëpër vazo është bërë në bazë të koeficientit të UEFA-s për përfaqësueset e futbollisteve.

Shqipëria është në vazon e katërt së bashku me Sllovakinë, Hungarinë, Bjellorusinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Izraelin e Azerbajxhanin.

Në vazon e parë janë: Holanda, Gjermania, Anglia, Franca, Suedia, Spanja, Norvegjia, Italia dhe Danimarka.

“Në bazë të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s të vlefshëm në kohën kur tërhiqet shorti, Kosova nuk mund të jetë në të njëjtin grup me Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Rusinë”, ka njoftuar UEFA.

Ka kohë që ky vendim është në fuqi dhe UEFA i përmbahet vazhdimisht. Vendimi është marrë për çështje politike, përkatësisht për të shmangur komplikimet e mundshme në ndeshje të Kosovës.

Fituesit e nëntë grupeve kualifikuese kualifikohen në Botëror, ndërsa përfaqësueset e dyta nëpër grupe, kalojnë në barazh.

Kualifikimet nisin në shtator të këtij viti dhe përfundojnë në shtator të vitit 2022. Për lojtaret e selektores Afërdita Fazlija ky do të jetë cikli i tretë kualifikues, i dyti për Botëror.

Kosova ka debutuar pikërisht në kualifikime për Botëror, atë të vitit 2019. Ishte ndalur në raundin preliminar duke i humbur ndeshjet me Shqipërinë, Greqinë dhe Maltën. Tani raund preliminar nuk ka fare.

Në kualifikimet për Euro 2022, që ishin të parat evropiane për Kosovën, përfaqësuesja bëri hap të madh para. U rendit e katërta në një grup shumë të fortë. Mbeti pas Holandës, Rusisë e Sllovenisë, ndërsa la pas Turqinë e Estoninë. Me Turqinë e Estoninë mori shumicën e pikëve, dhjeta gjithsej.

Hapi tutje para synohet të bëhet në kualifikimet për Botërorin 2023.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme