Kosova nis përgatitjet për Rumaninë, sot kompletohet

Prishtinë | 19 Shk 2019 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Qendra Lis Shoshi dhe plejmejkeri amerikan Malcolm Armstead ishin mungesat e vetme në ditën e parë të grumbullimit të Përfaqësueses së Kosovës në prag të duelit me Rumaninë në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”.

Të hënën mbrëma Kosova nisi përgatitjet, kurse optimizmi ishte i madh brenda ekipit për ndeshjen që luhet të dielën (24 shkurt) në Prishtinë në kuadër të Grupit B, shkruan Koha Ditore.

Shoshi e Armstead nuk kanë mundur t’i bashkohen ekipit në stërvitjen e parë për shkak të vonesës së fluturimeve, por do të jenë të gatshëm për stërvitjen e dytë, që mbahet të martën (sot) paradite. Armstead do të debutojë me Kosovën kundër Rumanisë, pasi në dy ndeshjet e mëparshme nuk mundi për shkak të lëndimit.

Armsteadi është amerikani i katërt i natyralizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) pas Justin Doellmanit, Scott Bamforthit e Shawn Jonesit. Përfaqësuesja e Kosovës është e fundit në grup me tri pikë pas tri humbjeve që i ka regjistruar, dy ndaj Maqedonisë që i prinë grupit dhe një ndaj Rumanisë. I pari i grupit siguron një vend direkt për kualifikimet e “Eurobasket 2021”, derisa dy të tjerat do të kenë raundin shtesë të parakualifikimeve që zhvillohet në muajin gusht (3-21). Pas duelit me Rumaninë, Kosova do t’i mësojë dy kundërshtarët e tjerë për këtë fazë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme