Kosova nuk po e merr atë që pritet nga amerikanët

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Lideri Dardan Berisha ishte jashtë, i përjashtuar. Erjon Kastrati realizoi për tri pikë dhe ngushtoi epërsinë e Rumanisë në 74:73. Deri në fund të ndeshjes ishin edhe 43 sekonda. Ishte koha kur përgjegjësinë te Kosova do të duhej ta merrte një lojtar tjetër lider, lojtar me përvojë.

I tillë mendohet të jetë lojtari i natyralizuar, lojtari amerikan. I tillë mendohej të ishte Malcolm Armstead. Amerikani 29-vjeçar ishte në parket, rrëmbeu topin dhe pasoi për Kastratin që shënoi për tri pikë. Por befasisht përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomeroviq, nuk ia besoi Armsteadit përgjegjësinë që të udhëheqë përfaqësuesen në sekondat e fundit. Menjëherë pas shënimit të Kastratit e nxori Armsteadin nga loja dhe në vend të tij e aktivizoi Valon Bunjakun, që në ndeshjen e së dielës mbrëma ishte plejmejkeri i parë i Kosovës, shkruan Koha Ditore.

Armstead më nuk u aktivizua dhe Bunjaku e të tjerët bënë zgjedhje që nuk dolën të duhura. Kosova e humbi ndeshjen me shifrat 79:75. Armstead, që për herë të parë po luante për Kosovën, nuk doli të jetë përforcim i madh ashtu siç pritet të jenë lojtarët e natyralizuar amerikanë. Ai kaloi në parket vetëm 9:20 minuta, ndërsa gjatë kësaj kohe shënoi dy pikë, kishte dy asistime e dy topa të rrëmbyer.

Thuajse në të gjitha përfaqësueset që vendosin për natyralizim të lojtarëve, amerikanët janë liderë të pakontestueshëm. Për shkak të ndikimit të madh të tyre, FIBA e ka limituar paraqitjen e vetëm një lojtari të natyralizuar në përfaqësuese.

Të ngjashme