Kosova organizon për herë të parë Ligën Evropiane të Volejbollit

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 16:56 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova për herë të parë do të organizojë Ligën Evropiane të Volejbollit, e cila do të fillojë më 20 maj, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë.

Kombëtarja e Meshkujve e Kosovës do të jenë në grup me Maqedoninë, Letoninë dhe Austrinë. Ndërsa ajo e femrave do të jetë në grup me Suedinë dhe Estoninë.

Ky format organizohet për herë të parë nga Konfederata Evropiane e Volejbollit, pasi më parë ka ekzistuar vetëm si format i thjeshtë i kualifikimeve.

Sfidë për Kosovën do të jetë mosparaqitja e lojtarëve më të mirë të saj, Bardhyl Hajdaraj te meshkujt dhe Adelajda Prenga te femrat, për shkak të ndryshimit të vendit të origjinës, pasi që të dy kanë luajtur për klubet e Shqipërisë.

Në një konferencë për medie, zëvendëspresidentja e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Mimoza Shkodra-Bislimi, tha se janë në fazën finale të organizimit, por bëri të ditur se nuk është e lehtë që të organizohet një ligë e tillë.

Andaj kërkoi nga qytetarët që të mbushin palestrat për t’ia dëshmuar Evropës se Kosova e meriton që të jetë organizatore.

Ajo shtoi se konkurrenca është shumë e madhe, por presin rezultate të mira.

“Jemi këtu për të informuar për organizimin e Ligës Evropiane e cila është në anën tonë teknike. Liga e Evropës e cila na takon të jemi në ligën e argjendtë dhe organizohet për herë të parë dhe kërkon më shumë vigjilencë nga federata. Kemi marrë hapat e nevojshëm, s’është e lehtë sepse është për herë të parë”.

Datat e zhvillimit të ndeshjeve janë: 20 maj – Ferizaj; 23 maj – Gjilan; 3 qeshor – Prishtinë.

“Nuk është e kollajshme me pru Evropën në Kosovë. Për ne është sfidë, prandaj kemi nevojë për përkrahjen e qytetarëve, t’i mbushin palestrat. Shpresa vdes gjithmonë e fundit, jemi shtet i ri por kemi shpresa, çdo pikë është e rëndësishme. Sfida më e madhe është organizimi i këtyre ndeshjeve. Do të ballafaqohemi me skuadrat më të mira në Evropë dhe nuk është e lehtë”.

Sekretari i federatës, Valon Nikqi, tha se përgatitjet e kombëtareve janë zhvilluar dhe presin paraqitje pozitive.

Derisa mosparaqitjen e dy lojtarëve më të mirë të Kosovës e cilësoi si humbje të madhe.

“Dy lojtarët kryesorë nuk do të mund të jenë pjesë e kombëtareve për shkak të ndërrimit të shtetit të origjinës, Bardhyl Hajdaraj te meshkujt dhe Adelajda Prenga te femrat. Në bazë të paraqitjeve skuadra e femrave është në formë të mirë dhe shpresojmë që të bëjnë ndeshje të mira”.

Të ngjashme