Kosova pa boshtin e skuadrës në ndeshjet e rëndësishme të qershorit

Prishtinë | 27 Maj 2019 | 08:20 | Nga Ekonomia Online

Dy ndeshjet e qershorit pritet t’i japin kah rrugëtimit të Kosovës në eliminatoret për “Euro 2020”. Por përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk do të mundë të shfaqë potencialin e plotë që e ka në sfidat në udhëtim me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Ekipi i përzgjedhësit Bernard Challandes është goditur nga lëndime të lojtarëve të rëndësishëm para ndeshjeve të qershorit.

Challandes nuk do të mundë të llogarisë në lojtarët kyç të mesfushës. Kështu në repartin e mesfushës do të luajnë lojtarë që kanë pasur pak hapësirë në vitet e fundit apo të tillë që janë ftuar për herë të parë, apo që nuk janë ftuar për kohë të gjatë. Ka gjasë që qendra e mesfushës të improvizohet me lojtarë të specializuar për pozita të tjera, shkruan sot Koha Ditore.

Valon Berishës e Hekuran Kryeziut që ishin lënduar shumë javë më parë, së fundi i është bashkuar edhe Herolind Shala. Shala, ndonëse për skuadrat e tij luan në pozita më ofensive, te Kosova ka mbuluar pozitën e mesfushorit defanziv. Në ndeshjet e fundit luajti mesfushor defanziv së bashku me Hekuran Kryeziun, ndërsa më i avancuar ishte Valon Berisha, kur ishte i gatshëm. Kështu Kosovës do t’i mungojë boshti i mesfushës për ndeshjet me Malin e Zi dhe Bullgarinë.

Më 7 qershor luhet ndeshja Mali i Zi – Kosova, në stadiumin e qytetit në Podgoricë, pa praninë e shikuesve. Më 10 qershor Kosova paraqitet në Sofje ndaj Bullgarisë. Kosova më 25 mars barazoi 1:1 në shtëpi me Bullgarinë, ndërsa synimet për dy ndeshjet e qershorit janë për fitore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme