Kosova për herë të parë do ta ketë edhe ekipin A të femrave në basketboll

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Ëndrra shumëvjeçare e basketbollisteve seniore, Saranda Dacit dhe Irma Konjushës, që një ditë ta bartin fanellën e Përfaqësueses A të Kosovës për ta prezantuar vendlindjen e tyre në gara zyrtare ndërkombëtare, sipas të gjitha gjasave do të realizohet vitin tjetër.

Pritjes së tyre tashmë i ka ardhur fundi, pasi në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë nisur diskutimet për formimin e ekipit A të femrave. Synimi i FBK-së është që me ekipin A të femrave të Kosovës për herë të parë të paraqiten në garat ndërkombëtare, saktësisht në FIBA Kampionatin Evropian për shtetet e vogla. Kjo do të ishte hera e parë që basketbolli i femrave do të përfaqësohej në nivelin senior, në një garë zyrtare të FIBA-s.

Në fakt, Kosova nuk ka pasur fare ekip të parë të femrave, ndonëse në disa raste janë tubuar disa prej basketbollisteve më të mira për të zhvilluar ndonjë miqësore me Shqipërinë në kuadër të ndonjë manifestimi. FIBA Kampionati Evropian për shtete të vogla do të mbahet vitin tjetër (15-20 qershor), dhe tashmë për pjesëmarrje janë paraqitur vendet si Norvegjia, Irlanda, Malta, Andorra, Qiproja, Gjibraltari e Luksemburgu. FBK-ja, deri më tash në nivel femrash në garat zyrtare të FIBA-s, është përfaqësuar vetëm me ekipet e gjeneratave të reja – U16, U18 dhe U20. Ky kampionat organizohet çdo dy vjet, por për shkak se këtë vit është anuluar shkaku i përhapjes së pandemisë, do të mbahet në dy vjetët e ardhshëm – 2021 dhe 2022.

“E kemi diskutuar me kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu, dhe drejtorin e përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, pjesëmarrjen me ekipin A të femrave në FIBA Kampionatin Evropian të shteteve të vogla, pra jo në kualifikime apo parakualifikime. Dhe, mendojmë se pjesëmarrja në këtë kampionat do të jetë një ide më se e qëlluar, për faktin se kjo do të jetë hera e parë në gara zyrtare me ekipin e parë të femrave”, është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, për gazetën. “Kjo është një ide shumë e mirë dhe e mirëseardhur për të pasur ekipin A dhe pritet që së shpejti Bordi i FBK-së të marrë vendim pro kësaj ideje. Por, natyrisht në këtë rast edhe qeveria duhet të na përkrahë më shumë për shkak se nuk duam të shkojmë atje vetëm për pjesëmarrje, por të ndërtojmë një ekip të mirë”.

Ndërkohë, Daci (Bashkimi) dhe Konjusha (Prishtina), që vlerësohen ndër basketbollistet më të mira në Kosovë në pozitat e tyre, me padurim presin që të kenë mundësinë për të shfaqur aftësitë e tyre edhe me fanellën e Kosovës. Madje, Konjusha thotë se FBK-ja është vonuar në formimin e ekipit A të femrave. Ajo është më se e bindur se ky lajm do të mirëpritet nga të gjitha basketbollistet e tjera seniore. Në të vërtetë, basketbolli i femrave këtë edicion ka bërë daljen e parë në Evropë pas më shumë se 15 vjetësh, kur Mabetex Prishtina këtë edicion u paraqit në fazën e grupeve të Eurocup Women. Herën e fundit që një ekip i femrave kishte luajtur në gara ndërkombëtare ishte në edicionin 2003/04, kur ekipi i ish-Universitetit të Prishtinës përfundoi i treti në Ligën Trocal.

“Mendoj se është një ide shumë e qëlluar, që është dashur shumë më herët për shkak se kemi pasur nevojë për ekipin A të femrave. Nëse formohet ekipi i femrave dhe vitin tjetër marrin pjesë në gara të FIBA-s, atëherë do të jetë një përvojë e rëndësishme për të gjitha basketbollistet. E them këtë për shkak se ekipi A i femrave asnjëherë nuk ka luajtur në ndonjë kampionat. Me paraqitjen tonë në FIBA Kampionatin e Shteteve të Vogla do t’i bënim edhe një prezantim të fuqishëm Superligës së femrave në Kosovë”, është shprehur Konjusha.

Edhe Daci beson se është koha e fundit që Kosova të ketë ekipin e parë të femrave, në mënyrë që edhe basketbollistet të shijojnë ndjenjën e përfaqësimit të shtetit në gara zyrtare të FIBA-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme