Kosova përballet sot me Jordaninë, në ndeshjen e parë pas shkarkimit të Challandes

Prishtinë | 10 Nën 2021 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sot me Jordaninë në Prishtinë, në një ndeshje miqësore, e cila do të jetë e para pas shkarkimit të trajnerit Bernard Challandes.

Primoz Gliha do ta udhëheqë ekipin kombëtar të Kosovës kundër jordanezëve në Stadiumin Fadil Vokrri, sot në orën 18:00, raporton Gazeta Express.

Kosova dhe Jordania, kombëtarja e 90-të në renditjen e FIFA-s, nuk janë takuar asnjëherë më parë deri tani.

Federata e Futbollit e Kosovës e emëroi sllovenin Gliha në krye të Kombëtares përkohësisht, edhe pse asnjëherë nuk njoftoi zyrtarisht për këtë, pasi e shkarkoi Challandesin pas humbjes kundër Gjeorgjisë në tetor.

Duke folur në konferencë për media para ndeshjes, Gliha tha se kërkon fitore patjetër, duke e quajtur të rëndësishme përballjen me Jordaninë.

 “Për mua nuk ka ndeshje miqësore, pasi çdo sfidë është e rëndësishme. E them këtë sepse çdo fitore e ngrit moralin e ekipit. Në ndeshje me Jordaninë duhet ta kërkojmë fitoren dhe të ngremë moralin e ekipit dhe kjo është mënyra e vetme për të ardhur te rezultatet e mira”, tha Gliha.

Katër futbollistë të ftuar për këtë ndeshje miqësore dhe për takimin e fundit kualifikues për Kupën e Botës me Greqinë u larguan nga Kombëtarja për shkaqe të ndryshme.

Elbasan Rashani u lëndua me ekipin e vet Clermont në Ligue 1 të dielën, njëlloj si Zymer Bytyqi.

Lirim Kastrati dhe Bersant Celina kërkuan leje mungese nga FFK-ja.

FFK-ja nuk ka treguar nëse Gliha e ka ftuar ndonjë futbollistë tjetër apo jo për t’i mbuluar mungesat në këto dy takime. 

Të ngjashme