Kosova i përmbyll kualifikimet pa fitore, Islanda në botëror

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 22:46 | Nga

Përfaqësuesja e Kosovës ka humbur takimin e fundit në grupe në udhëtim te Kombëtarja e Islandës me rezultat 2-0, ndeshje e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

Kosova ka përmbyllur me humbje aventurën e parë për kualifikime në ndonjë kampionat, pasi ka humbur takimin e fundit ndaj Islandës në Grupin I.

Me këtë humbje Kosova arrin në nëntë humbje radhazi në këtë grup dhe vetëm një barazim ndaj Finlandës me rezultat 1-1 nga ndeshja e parë.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi Kosovës, të cilët dominuan me posedimin e topit dhe rastet, por nuk arritën ta gjejnë golin, të cilën e gjetën islandezët, shkruan Telegrafi.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 40-të me anë të yllit të kombëtares, Gylfi Sigurdsson, i cili shënoi pas një lëvizje mjeshtërore duke e dërguar Islandën në pushim me epërsi 1-0.

Në pjesën e dytë ishte poashtu avazi i njëjtë me Kosovën që posedonte topin dhe mundohej të krijonte raste, por golin e gjeti përsëri Islanda.

Ishte anësori sulmues Johann Gudmundsson, i cili shënoi nga afërsia për epërsinë e Islandës prej 2-0 pas një asistimi të Sigurdssonit.

Pas këtij goli pati edhe disa gjysmë raste tjera, por pa arritur të konkretizohet dhe ndeshja përfundoi me fitore të Islandës me rezultat 2-0.

Me këtë fitore, Islanda siguron kualifikimin për në botërorin “Rusia 2018” si e para e grupit me 22 pikë të mbledhura, ndërsa Kosova mbetet e fundit me vetëm një pikë.

Vlen të theksohet se kjo ishte ndeshja e fundit për trajnerin Albert Bunjaku në krye të Përfaqësueses së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme