Kosova përmbys epërsinë ndaj Maqedonisë, në fund nuk ia del

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 23:36 | Nga

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje nga Maqedonia (73-76) në ndeshjen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në kuadër të raundit të dytë të parakualifikimeve për ‘FIBA Eurobasket 2021’.

Në minutat e para, mysafirët e bënë shumë shpejt diferencën, teksa me kalimin e minutave, basketbollistët tanë u kthyen në lojë.

Me gjithë përkushtimin e basketbollistëve të Kosovës, në fund të çerekut të parë, maqedonasit kishin katër pikë epërsi (16:20).

Edhe në dhjetëminutëshin e dytë, skuadra mysafire u tregua më efektive duke e ruajtur avantazhin. Për më shumë, përfaqësuesja e Maqedonisë e ngriti akoma më shumë epërsinë në raste të caktuara gjatë kësaj pjesëloje.

Megjithatë në këtë çerek diferenca e pikëve të shënuara ishte vetëm një më shumë për maqedonasit (13:14), ashtu që kur skuadrat shkuan në pushim, rezultati ishte 29-34.

Një rikthim fantastik, basketbollistët e Kosovës e bënë në dhjetëminutëshin e tretë të sfidës duke arritur ta përmbysin epërsinë.

Në këtë çerek, Përfaqësuesja jonë i shënoi 20 pikë, kundrejt 14 pikëve të Maqedonisë, ndërsa Dardan Berisha ishte mbresëlënës në momente të duhura.

Maqedonasit u rikthyen në çerekun e fundit duke e marrë sërish epërsinë dhe duke e diktuar lojën. Ndërkohë, Berisha vazhdonte insistimin duke i udhëhequr bashkëlojtarët në përpjekje për t’i ndryshuar gjërat dhe basketbollistët tanë e ngushtuan shumë rezultatin.

Fundi i sfidës ishte dramatik, duke qenë se kur kishin mbetur 24 sekondat e fundit, diferenca ishte vetëm dy pikë.

Megjithatë, maqedonasit arritën ta fitonin çerekun e katërt (24:28) dhe e fituan edhe lojën me tri pikë diferencë (73-76).

Të ngjashme