Kosova shpreson për një fillim të ri, me fitore e paraqitje bindëse

Prishtinë | 10 Tet 2020 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Kosova i ishte afruar kualifikimit në një ngjarje të madhe. Por humbja e pësuar të enjten mbrëma në Shkup nga Maqedonia e Veriut (2:1) e ka larguar shumë prej ëndrrës së tifozëve të shumtë, që i ka fituar për një periudhë të shkurtër.

Kosova është ndalur në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020” dhe i duhet të nisë rrugëtim të ri me shpresë për të arritur në ngjarje të madhe, botëror apo evropian, shkruan KOHA.

Rrugëtimi shpresohet të niset menjëherë të dielën në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Ndeshja me Slloveninë i takon edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, që ofron mundësi fare të vogël për t’u kualifikuar në botëror.

Por në Federatën e Futbollit të Kosovës vlerësojnë se fillimi i një etape të re do të ishte me shumë peshë për të ardhmen e përfaqësueses, përkatësisht për të kaluar momentin shumë të vështirë.

Sllovenia vlerësohet përfaqësuese edhe më cilësore se Maqedonia e Veriut, të paktën në letër, ndërsa në disfavor shkon fakti që Kosova është në njërin prej momenteve më të vështira të saj.

Afrimi me ëndrrën ka bërë që dëshpërimi të jetë më i madh. Tifozët e kanë përjetuar rëndë disfatën e po ashtu paraqitjen në Shkup. Rrjetet sociale janë shfrytëzuar për fyerje të shumta ndaj atyre që luajtën, atyre që nuk ia dolën të grumbullohen e po ashtu ndaj selektorit Bernard Challandes. Pritjet për ndeshjen ndaj Maqedonisë ishin të mëdha, por paraqitja u vlerësua dëshpëruese.

Te Kosova është vërejtur shumë mungesa e lojtarëve titullarë, si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu e Milot Rashica. Kjo vlerësohet të jetë dëshmi për numrin e vogël të lojtarëve cilësorë në dispozicion, ndonëse një kohë kishte vlerësime se Kosova ka lojtarë për tri përfaqësuese cilësore.

Me humbjen nga Maqedonia e Veriut ka shkuar në gjashtë numri i ndeshjeve pa fitore. Fitoren e fundit “dardanët” e kanë shënuar më 14 tetor të vitit të kaluar, ndaj Malit të Zi.

Në nëntor kishte humbur nga Çekia e Anglia, në janar nga Suedia (me ekipin B), kurse më 3 shtator, Kosova barazoi me Moldavinë. Më 6 shtator Kosova humbi 2:1 nga Greqia, ndërsa reagimi shpresohet të ndodhë në dy ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, të dielën me Slloveninë dhe të mërkurën në udhëtim me Greqinë.

Të ngjashme