Kosova s’luan, por është kyç në përballjen shqiptaro-serbe

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 09:25 | Nga

Kosova nuk luan të enjten mbrëma (sonte) në Elbasan. Në fushën e stadiumit “Elbasan Arena” nuk do të vrapojnë as lojtarët e ndonjë skuadre kosovare të futbollit.

Por Kosova është shumë e përfshirë në ndeshjen ndërmjet Skënderbeut të Korçës dhe Partizanit të Beogradit, që nis në orën 21:05 dhe i takon xhiros së tretë të fazës grupore të Ligës së Evropës – Grupi B, transmeton Koha Ditore.

Shumë interes pritet të ngjallë kjo ndeshje te tifozët e futbollit në Kosovë, për shkak të së kaluarës dhe lidhjeve të vendit.

Skënderbeu, ekipi me të cilin janë mburrur shqiptarët në vitet e fundit, ka shumë tifozë në Kosovë e po ashtu në përbërje plot lojtarë nga Kosova.

Partizani është një prej dy klubeve më të mëdha serbe dhe provokimet e serbëve për Kosovën nuk munguan as para kësaj ndeshjeje. Në të kaluarën, sidomos në vitet e tetëdhjeta, Partizani kishte shumë tifozë në mesin e shqiptarëve të Kosovës, por kjo tashmë ka ndryshuar.

Të ngjashme