Kosova s’pranon kompromis me Malin e Zi, kërkon veç fitore

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Fitore. Tri pikë. Nuk janë ndalur këto fjalë nga lojtarët e Kosovës në prag të ndeshjes së rëndësishme me Malin e Zi. Por janë fjalë që nuk i ka përmendur të enjten në konferencë për shtyp përzgjedhësi Bernard Challandes.

Challandes, si vazhdimisht deri më tash, ka folur për ndeshje të vështirë, për angazhim, për nivelin e kundërshtarit e gjëra të tjera, shkruan sot Koha Ditore.

Nuk është ndonjë “formulë e re kjo”. Challandes prej ardhjes në krye të Kosovës rrallë ka parashikuar fitore. Lojtarët ishin ata që kanë folur për gjëra të tilla dhe kështu mbahej një lloj balance. Një balancë që ka sjellë suksese deri më tash.

Kështu tifozët e Kosovës shpresojnë të jetë edhe të premten mbrëma (sonte) në stadiumin e qytetit në Podgoricë, ku nga ora 20:45 luhet ndeshja e Grupit A të kualifikimeve për “Euro 2020” ndërmjet Malit të Zi e Kosovës. Ndeshja luhet pa shikues dhe pritet atmosferë e qetë.

Te lojtarët e Kosovës ka shumë besim se do të vazhdohet seria prej 12 ndeshjeve pa humbje e përfaqësueses, seri që ka nisur në vjeshtën e 2017-s. Ndonëse i matur në parashikime, Challandes nuk di për humbje me Kosovën.

Me zviceranin me përvojë në krye, Kosova është shfaqur fuqishëm në miqësore, në fushatën e Ligës së Kombeve të UEFA-s dhe në hapje të eliminatoreve aktuale, kur barazoi 1:1 me Bullgarinë më 25 mars, në një ndeshje të dominuar plotësisht.

“Në renditjen e FIFA-s jemi në vendin e 127-të, ndërsa Mali i Zi është në vendin e 51-të. Na pret ndeshje e vështirë dhe interesante”, ka thënë Challandes në fillim të prononcimit të tij në konferencën për shtyp të mbajtur të enjten pasdite, para stërvitjes së vetme të Kosovës në stadiumin në Podgoricë.

Zvicerani ka thënë se zhvillimi i ndeshjes pa shikues nuk është i mirë për futbollin, por njëjtë as për Kosovën e as Malin e Zi. UEFA ka dënuar Malin e Zi me zhvillimin e një ndeshje pa shikues për shkak të racizmit të tifozëve malazezë në ndeshje me Anglinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme