Kosova synon të marrë pjesë në Botërorin e Beogradit me flamur e himn

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator ditë më parë mori vendim që Botërori i vitit 2021 të mbahet në Beograd. AIBA ia mori të drejtën e organizimit Indisë dhe vendosi që kryeqendra e Serbisë të jetë organizatore.

Në Beograd synon të marr pjesë edhe përfaqësuesja e Kosovës. Federata e Boksit të Kosovës të premten përmes një komunikate ka thënë se në Beograd do të paraqitet me flamur e himn.

“Kombëtarja e Kosovës në boks do të paraqitet për pjesëmarrje në kampionatin botëror të vitit 2021 në Beograd me tre apo katër boksierë”, thuhet në komunikatë.

“Besojmë dhe shpresojmë që Kosova do të paraqitet me flamur dhe himn të shtetit në këtë kampionat, për arsye se FBOXK me kohë do të dërgoj letrat me emrat e anëtarëve të ekipit të Kosovës në AIBA“.

Nëse synimi i federatës kosovare realizohet atëherë do të niste epokë e re në raportet mes dy shteteve. Deri më tani sportistët kosovarë nuk janë lejuar të garojnë në territorin e Serbisë. Kishte përpjekje për një gjë të tillë nga hendbollistet dhe karateistët, por pa sukses. Hendbollistet e reja kishin zhvilluar një stërvitje në territorin e Serbisë, por më pas ishin organizuar protesta. Më pas u vendos që Kosova mos të lejohej të luaj. Ndërkohë karateistët nuk janë lejuar fare të hyjnë në territorin e Serbisë.

Të ngjashme